Aleanca për Shqiptarët: Sondazhi e vërteton – qytetarët nuk mashtrohen më nga mashtruesit politikë
Sondazhi i fundit i publikuar nga MKD.mk dhe realizuar nga agjencia Market Vision, ka konfirmuar rënien e dukshme të grupimit politik VLEN në skenën politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Aleanca për Shqiptarët ka reaguar përmes një deklarate publike, duke e cilësuar këtë sondazh si dëshmi të qartë të zhgënjimit qytetar ndaj atyre që, sipas tyre, kanë braktisur interesin shqiptar për pushtet personal.
“Diferenca është e thellë, rënia është reale, dhe tentimet për ta relativizuar këtë mesazh të qartë janë vetëm përpëlitje të një strukture që tashmë e ka kuptuar vendin e saj në margjinë,” thuhet në kumtesën e Aleancës për Shqiptarët.
Sipas ASH-së, edhe sondazhet e brendshme të VLEN-it e kanë treguar të njëjtin rezultat, madje edhe më negativ. “Në vend që të përballen me të vërtetën, ata zgjedhin propagandën. As logjistika e VMRO-DPMNE-së nuk do t’i shpëtojë nga humbja e pashmangshme në tetor,” thekson më tej deklarata.
ASH vlerëson se qytetarët kanë ditur ta lexojnë drejt largimin e saj nga qeveria dhe distancimin nga VLEN, duke e cilësuar atë si detyrim moral, jo kalkulim politik. “Largimi ynë nuk ishte manovër – ishte reagim ndaj një kursi të gabuar që dëmton shqiptarët dhe e zhyt vendin në diskriminim dhe kaos institucional,” nënvizohet në deklaratë.
Partia gjithashtu i dërgon një mesazh të qartë figurave të dikurshme të saj që, sipas saj, shfrytëzuan emrin e ASH-së për qëllime personale. “Ky sondazh është një goditje për ata që shisnin flamurin opozitar për një kolltuk qeveritar. Tetori është afër dhe pensionimi i tyre politik është proces i pashmangshëm,” thuhet në fund.
Aleanca për Shqiptarët rithekson angazhimin për të qëndruar “e pastër, e pa shitur dhe me qëndrim të qartë për barazi, drejtësi dhe përfaqësim real për shqiptarët”. Flaka














