Arsovska akuzon institucionet: “Keni prova për Ganiun, por s’guxoni të veproni!”
Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, ka lëshuar një deklaratë të drejtpërdrejtë dhe të ashpër ndaj institucioneve të drejtësisë dhe strukturave politike që – sipas saj – po mbyllin sytë ndaj krimit të organizuar në Komunën e Çairit, të drejtuar nga Visar Ganiu, transmeton Flaka
Përmes një reagimi publik, Arsovska thotë se ekzistojnë prova të pakundërshtueshme që vërtetojnë përfshirjen e Ganiut në veprime kriminale, përfshirë pastrim parash dhe falsifikime dokumentesh, që lidhen me ndërtimet e paligjshme në territorin e komunës që ai drejton.
“Ju janë dorëzuar prova të pakundërshtueshme për krimin, të konfirmuara institucionalisht nga disa burime. Ja ku e keni një ide të mirë – bëhuni heronj, në vend që populli t’ju tallet se nuk guxoni t’i afroheni Visar Ganiut”, shkruan Arsovska në rrjetet sociale.
Kryetarja e Qytetit shprehet se mbi 150 objekte ndërtimore të pasigurta në Çair janë miratuar në kundërshtim me ligjin, me dokumente të falsifikuara. Ajo nënvizon se, nëse institucionet veprojnë mbi këto prova, “askush s’do të mund t’i akuzojë më se mbrojnë krimin”.
“Nëse veproni mbi provat për pastrim parash dhe falsifikimet e konstatuara të Visar Ganiut për 150 ndërtesa të pasigurta në Çair, atëherë: asnjë s’do të thotë më se mbroni krimin, as s’do të ju përqeshin se jeni ‘luanë’ vetëm në shtabe”, shton ajo.
Në fund, Arsovska e përshkruan veten si të vetmen që përballet me krimin në këtë pjesë të qytetit, ndërsa institucionet – sipas saj – hezitojnë për arsye politike.
“Kështu unë s’do të duhet të luftoj me krimin në territor që s’e keni as nën kontroll të plotë. Ju dilni heronj dhe s’do të turpëroheni çdo ditë se ‘me jetë’ po mbroni VLEN/BDI. Për më tepër, do të vazhdoni fushatën rehat – pa pasur nevojë të shpikni sulme dhe gënjeshtra çdo ditë, për të justifikuar pse nuk po veproni”, përfundon Arsovska.
Deri më tani, nga ana e Visar Ganiut apo ndonjë përfaqësuesi të koalicionit VLEN nuk ka pasur reagim ndaj këtyre akuzave. Flaka














