Flaka analizon: A duhet të na shqetësojë përplasja etnike mes të rinjve në Tetovë?
Flaka
Tetova është sërish në qendër të vëmendjes, jo për zhvillim, por për tension. Grafite me simbolet e “Vojvodëve” janë shfaqur në mure të ndryshme të qytetit – një akt që ka shkaktuar shqetësim dhe indinjatë të thellë, sidomos në mesin e të rinjve shqiptarë, të cilët e perceptojnë këtë si provokim të drejtpërdrejtë dhe të qëllimshëm.
Sipas dëshmitarëve dhe burimeve lokale, një incident mes grupeve të të rinjve – që mund të kishte marrë përmasa fatale – është shmangur në çastet e fundit. Si kundërpërgjigje, të rinj shqiptarë kanë reaguar me grafite në shqip, në përpjekje për të mbrojtur simbolikën dhe hapësirën e tyre publike.
Por pyetjet që lindin janë serioze dhe të përsëritura: Pse sa herë që VMRO-DPMNE kthehet në pushtet, shfaqen edhe tensione ndëretnike? Kush po i nxit këto situata? Kujt i konvenon një atmosferë e tillë e acaruar?
Analistë dhe përfaqësues të shoqërisë civile paralajmërojnë se përdorimi i tensioneve etnike si mekanizëm për të mbajtur të ndarë qytetarët është një skenar i njohur në politikën e Maqedonisë së Veriut – sidomos kur vëmendja duhet të largohet nga skandalet korruptive ose dështimet e mëdha qeveritare.
“Sa herë që ka paaftësi për të prodhuar zhvillim, për të ofruar zgjidhje konkrete, politika nacionaliste kthehet në mjet për të kontrolluar emocionet kolektive dhe për të mobilizuar ndjenja primitive”, thotë një sociolog nga Tetova që kërkon të mbetet anonim.
Shqetësimi i madh qëndron te përdorimi i të rinjve si instrument në lojërat e vjetra politike të ndarjes dhe përplasjes. Në vend që t’u ofrohet arsim cilësor, punësim dhe perspektivë, të rinjtë ndahen në baza etnike dhe shtyhen drejt konflikteve të pavlera.
Apeli i shoqërisë civile është i qartë: autoritetet duhet të reagojnë menjëherë, jo vetëm për të fshirë grafitet, por për të dërguar mesazhin se qytetet tona nuk janë arenë e provokimeve etnike, por hapësira të përbashkëta për jetë dinjitoze.
Nëse përplasjet e tilla nuk ndalen në kohë, pasojat nuk do të jenë vetëm murale nëpër rrugë, por plagë të reja në shoqërinë tonë tashmë të polarizuar. Flaka














