Bekim Berisha: Në 3.52 km² në Çair, 21 kazino dhe bastore – më shumë se dyfish krahasuar me shkollat
Bekim Berisha ka ngritur alarmin për numrin e lartë të kazinove dhe bashtoreve në komunën e Çairit, duke thënë se realiteti është më i zymtë se fjalët e fushatës.
“Në një territor prej vetëm 3.52 kilometra katrorë, në Çair funksionojnë 21 pika kumari – 16 bastore dhe 5 kazino. E gjitha kjo në komunën që Izet Mexhiti e ka drejtuar për 20 vjet me radhë,” deklaroi Berisha.
Sipas tij, situata është aq alarmante, sa që vendet e bixhozit e tejkalojnë numrin e shkollave: “Në të njëjtën hapësirë kemi vetëm 9 shkolla fillore dhe 1 të mesme. Pra, në Çair, bastoret dhe kazinot janë më të shumta se institucionet arsimore – me raport më shumë se 2 me 1.”
Ai kujtoi se gjatë fushatës zgjedhore, Izet Mexhiti e kishte vendosur pikërisht këtë problem si prioritet, por deri më sot nuk është mbyllur asnjë pikë kumari: “Asnjë hap konkret, asnjë përballje me industrinë e bixhozit. Të gjitha vazhdojnë të funksionojnë sikur të jenë objekte publike të mbrojtura me ligj.”
Berisha përfundoi me thirrjen për veprim: “Nëse s’kemi forcë të ndalim përhapjen e bixhozit, të paktën mos t’i gënjejmë njerëzit me premtime që as vetë s’i besojmë.” Flaka














