Gjykata Supreme në Kosovë vendos: Nuk mundet edhe deputet, edhe (krye)ministër njëkohësisht!

Flaka
Botuar nga Flaka 15 Korrik, 2025 22:17

Gjykata Supreme në Kosovë vendos: Nuk mundet edhe deputet, edhe (krye)ministër njëkohësisht!

Gjykata Supreme në Kosovë ka konstatuar se deputetët nuk mund të ushtrojnë edhe funksione në Qeveri. Nga momenti i certifikimit të rezultatit zgjedhor, ministrat që kanë marrë post deputeti nuk mund të marrin vendime, ka konstatuar kjo Gjykatë.

Mbi bazën e këtij interpretimi, ajo ka shfuqizuar udhëzimin administrativ për arkat fiskale të nënshkruar nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, raporton mediumi “Koha” në Kosovë.

“Për gjykatën ishte i pakontestueshëm fakti se nga certifikimi zyrtar i rezultateve të zgjedhjeve, më datë 27.3.2025, ministri i MFPT-së, Hekuran Murati, figuron si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Sipas nenit 71 të Kushtetutës, ushtrimi i funksioneve të deputetit dhe të ministrit në të njëjtën kohë është i ndaluar. Pra, nxjerrja e udhëzimit administrativ nga një person që ushtron njëkohësisht detyrën e deputetit dhe të ministrit është e kundërligjshme dhe shkel dispozitat kushtetuese”, thuhet në aktgjykimin e Supremes.

Rrjedhimisht ky vendim prek edhe ministrat e tjerë që kanë fituar mandat deputeti, përfshirë edhe kryeministrin Albin Kurti.

Vendimin e Supremes e ka quajtur absurd Murati, dhe ka publikuar edhe emrat e gjyqtarëve që kanë marrë vendimin. Ai ka theksuar se me këtë vendimmarrje ndërpritet procesi i digjitalizimit.
LDK-ja, e cila ka deponuar në prokurori 17 kallëzime penale ndaj deputetëve që kanë marrë vendime në cilësi të ministrave, ka kërkuar që organi i akuzës të veprojë shpejt.

“LDK-ja kërkon nga Prokuroria e Shtetit që të trajtojë me prioritet këto shkelje të rënda kushtetuese dhe ligjore dhe të veprojë pa vonesë mbi bazën e kallëzimeve penale të parashtruara nga deputetët tanë.

Vendimi i Gjykatës Supreme tashmë e ka konfirmuar se kemi të bëjmë me veprime anti-kushtetuese dhe të kundërligjshme”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Udhëzimi administrativ, që është shfuqizuar nga Supremja, parashihte që bizneset e vjetra dhe të reja që nuk ishin pajisur me arka fiskale nuk obligoheshin që ta bënin këtë.

Flaka
Botuar nga Flaka 15 Korrik, 2025 22:17
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Marrja e paautorizuar e teksteve dhe videove me të drejtë autoriale ose ndonjë përmbajtje të ngjashme pa pëlqimin paraprak me shkrim të Flaka Media do të konsiderohet shkelje e të drejtave autoriale dhe për këtë Flaka e ruan të drejtën të kërkojë kompensim përkatës monetar.Mosrespektimi dhe abuzimi i të drejtave autoriale dhe të drejtave simotër dënohet me ligj.Çdo marrje e paautorizuar, shfrytëzim, përdorim apo publikim i tekstit, fotografitë ose videot apo çfarëdo përmbajtje tjetër e ngjashme që paraqet pronësi të Flaka Media, pa pëlqim paraprak me shkrim nga redaksua, ndalohet rreptësisht dhe për të njëjtën paguhet kompensim përkatës financiar, për çka pronari ka të drejtë të nis procedurë përkatëse.Në rast të marrjes së teksteve autoriale dhe videove apo çfarëdo përmbajtje tjetër, në mënyrë të obligueshme nevojitet pëlqim paraprak nga Flaka Media dhe vendosje të linkut që do të çojë deri në web faqen e Flaka Media.