Mexhiti për incidentin në Çair: Kryetarja e Shkupit duhej të jepte dorëheqje – Reagon Arsovska
Pas incidentit të ndodhur në Çair, ku sipas mediave kryetarja e Shkupit, Danella Arsovska, ka hyrë në përplasje fizike me një qytetar, ka reaguar zëvendëskryeministri dhe lideri i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti. Ai kritikoi sjelljen e kryetares dhe tha se në vende normale një akt i tillë do të përfundonte me dorëheqje, transmeton Flaka
“Për çka ta gjykoj? Se kryetarja shkoi para shtëpisë së tij dhe e sulmoi fizikisht? Për gjykim është? Në shtete normale, ajo duhej të jep dorëheqje”, deklaroi Mexhiti.
Në anën tjetër, nuk vonoi edhe reagimi i Danella Arsovskës, e cila në një deklaratë të ashpër e akuzoi Mexhitin për hipokrizi, duke pretenduar se Qeveria në të cilën ai është pjesë ka ndarë miliona euro për projekte të Visar Ganiut, kryetarit të Komunës së Çairit.
“Sot, qeveria e Izet Mexhitit i dha miliona euro për 17 projekte mikut të tij Visar Ganiu, kryetar i Çairit. Këto janë para të qytetarëve që do t’i paguajë Maqedonia për 10 vitet e ardhshme”, deklaroi Arsovska.
Ajo gjithashtu hodhi akuza të rënda për ndërtime të paligjshme në Çair dhe për abuzim me furnizimin me ujë.
“I shpenzoni për një njeri që ka 150 ndërtime të paligjshme dhe të pasigurta të lidhura ilegalisht në rrjetin e ujësjellësit të Shkupit dhe që nuk paguan asnjë denar për ujë. Mos gënje Izet, nuk është faji i NP ‘Ujësjellësi’ – nga burimi natyror Rashçe nuk del aq ujë sa ju jeni të aftë të vidhni”, deklaroi ajo.
Përplasjet vijnë në kohën kur në opinionin publik po shtohen shqetësimet për ndërtime të paligjshme në kryeqytet dhe tensionet politike mes pushtetit qendror dhe vetëqeverisjes lokale në disa komuna të Shkupit. Flaka














