Policia në Tetovë zbulon 11 gra në lokal nate, pesë ishin të huaja pa leje – Arrestohet pronari lokalit
Gjatë një aksioni të kontrollit të ushtruar në një lokal nate në Tetovë, Policia e Tetovës arrestoi pronarin e objektit dhe pesë shtetase të huaja, të cilat dyshohen për keqpërdorim të qëndrimit turistik në vend, njofton Flaka duke u thirrur ne burime policore. Ngjarja ndodhi në orët e hershme të mëngjesit të sotëm, më 17 korrik 2025, rreth orës 03:50, në një objekt hotelier në rrugën “Braqa Miladinovci”, përgjatë autostradës Gostivar–Tetovë.
Gjatë kontrollit të zhvilluar nga ora 01:00 deri në 04:00, policia ka hasur në 11 gra të moshës nga 20 deri në 53 vjeç, ku gjashtë prej tyre janë shtetase të Maqedonisë, ndërsa pesë janë shtetase të Shqipërisë, Kosovës dhe Serbisë.
“Të huajat janë shoqëruar në stacionin policor për procedura të mëtejshme, për shkak të dyshimeve për keqpërdorim të qëndrimit turistik në Maqedoninë e Veriut,” – njoftojnë nga SPB Tetovë.
Policia gjithashtu ka arrestuar edhe J.M. (44) nga Tetova, pronar i objektit, i cili dyshohet për ndihmë në qëndrim të paligjshëm të shtetasve të huaj, sipas nenit 212 të Ligjit për të huajt, që ka të bëjë me “ndihmë ndaj të huajit për qëndrim të paligjshëm”.
“Pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj personit J.M. do të ngrihet kallëzim për veprim të kundërligjshëm ndaj të huajve në territorin e vendit,” – shtuan nga policia.
Policia e Tetovës vazhdon me kontrollet e rregullta në lokalet hotelierike dhe thekson se veprime të tilla do të vazhdojnë me qëllim të parandalimit të keqpërdorimeve dhe respektimit të ligjit për të huajt. Flaka














