Seanca e 50-të e Kuvendit të Kosovës dështon sërish – ende pa marrëveshje për konstituim
Kuvendi i Kosovës ka dështuar për të 50-tën herë radhazi të konstituohet, pasi edhe seanca e mbajtur sot përfundoi pa rezultat, duke zgjatur ngërçin institucional që po zvarritet prej muajsh.
Në seancë morën pjesë 104 deputetë, por pavarësisht pjesëmarrjes, nuk u arrit ndonjë progres në përbërjen e komisioneve dhe konstituimin e plotë të institucioneve.
“Kërkoj nga opozita që të propozojnë një anëtar të komisionit për votimin e fshehtë,” – deklaroi kryesuesi i seancës, Avni Dehari, por opozita refuzoi të marrë pjesë në këtë proces, duke e cilësuar antikushtetues.
Pavarësisht bojkotit opozitar, Komisioni për votimin e fshehtë u votua me 53 vota pro, pa asnjë kundër apo abstenim – megjithatë, mungesa e konsensusit e bëri të pavlefshëm vendimin për ecurinë e mëtejme të procesit konstituiv.
Takimi Kurti–Limaj pa rezultat
Shpresat për një zgjidhje të mundshme ishin rritur pas një takimi të shtunën mes kryetarit të Vetëvendosjes Albin Kurti dhe liderit të Nismës Fatmir Limaj, por seanca e sotme tregoi se nuk është arritur ndonjë marrëveshje konkrete.
“Deri tani nuk ka marrëveshje mes tyre,” – deklaroi deputeti i VV-së, Agim Bahtiri, duke konfirmuar ngecjen.
As Kurti e as Limaj nuk janë deklaruar publikisht në lidhje me takimin dhe përmbajtjen e diskutimeve.
Afati përfundimtar: 26 korrik
Seanca e radhës është caktuar për 23 korrik, ndërsa sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, 26 korriku është afati i fundit për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Nëse nuk arrihet marrëveshje deri në atë datë, vendi mund të përballet me pasoja të reja kushtetuese dhe politike. Flaka














