Si zhbëhen të drejtat e shqiptarëve në RMV “pa u vënë re”

Flaka
Botuar nga Flaka 21 Korrik, 2025 00:36

Si zhbëhen të drejtat e shqiptarëve në RMV “pa u vënë re”

Sefer Selimi

Prej më shumë se një viti, në skenën politike të Maqedonisë së Veriut po shpaloset një model i ri por i rrezikshëm për trajtimin e çështjeve që prekin drejtpërdrejt interesin e shqiptarëve. Ai nuk vjen me retorikë të ashpër apo me vendime të bujshme që do të ngjallnin reagim të menjëhershëm. Përkundrazi, ai vjen në mënyrë tinëzare, përmes proceseve burokratike, interpretimeve selektive dhe vonesave të qëllimshme. Kjo strategji nuk është tjetër veçse një manipulim institucional i projektuar për të dobësuar në heshtje të drejtat kolektive të shqiptarëve.

Skema është e thjeshtë por efektive. Fillimisht, një vendim ose e drejtë që ka qenë fituar më parë shfuqizohet përmes një institucioni dytësor, siç është Gjykata Kushtetuese apo ndonjë ministri me kompetenca ekzekutive. Më pas, nën presionin publik ose për të ruajtur balancat politike, qeveria nis hartimin e një ligji të ri që në shumicën e rasteve është shumë më i dobët dhe i vakët se zgjidhja paraprake. Ligji miratohet në mbledhje qeveritare, bëhet lajm, promovohet si arritje dhe me kaq mbyllet loja. Por ai nuk dërgohet në Parlament dhe rrjedhimist as nuk hyn në fuqi. Në thelb, kemi të bëjmë me një zgjidhje që ekziston vetëm në konferenca për shtyp, por jo në sistemin juridik të vendit.

Rasti i shfuqizimit të balancuesit etnik është shembull i qartë. Gjykata Kushtetuese e rrëzoi dhe u deshën më shumë se nëntë muaj që të propozohet një ligj i ri. Ligji kaloi në qeveri por ende nuk ka hyrë në rend dite në Kuvend, madje nuk e dimë nëse është derguar në Komisionin e Venecias për shqyrtim dhe kur do të ketë një vlerësim nga atje. Ndërkohë partitë shqiptare në pushtet e prezantojnë si një sukses që “është zgjidhur”. Po çfarë është zgjidhur kur zgjidhja nuk ka fuqi ligjore dhe dëshmojmë që çdo ditë institucionet publike mbushen pa asnjë konsideratë për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat si kategori Kushtetuese?

E njëjta histori po ndodh me çështjen e shkollave fetare. Gjykata Kushtetuese e rrëzoi vendimin e mëparshëm të qeverisë. U hartua një ligj i ri, u miratua në qeveri, u shpall me entuziazëm, por nuk ka kaluar në Parlament. Një tjetër rast i zgjidhjes së pretenduar.

Rasti më flagrant është ai i numrimit të popullsisë. Ministria për Vetëqeverisje Lokale interpretoi në mënyrë arbitrare metodologjinë e regjistrimit dhe fshiu qytetarët jo-rezidentë nga statistikat zyrtare. Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që e shpalli këtë qasje antikushtetuese pritej një reflektim institucional. Por jo. E njëjta ministri vazhdon të përdorë të njëjtat të dhëna, në kundërshtim me vendimin e gjykatës dhe me heshtjen e plotë të partnerëve shqiptarë në qeveri, të cilët pak kohë më parë këtë e quanin “fitore historike”.

Ky model qeverisës nuk është thjesht shprehje e neglizhencës apo paaftësisë. Është një strategji e qëllimshme që,m përmes mjeteve formale dhe procedurale zhvlerëson të drejtat e shqiptarëve pa hapur betejë të drejtpërdrejtë. Një formë e re revizionizmi politik që nuk sfidon Marrëveshjen e Ohrit me deklarata, por e gërryen atë nga brenda, fije për fije.

Për partnerët shqiptarë në qeveri kjo qasje është test i rëndë për legjitimitetin e tyre sepse heshtja përballë këtij manipulimi teknik është bashkëfajësi politike. Çdo krenari boshe për “arritje të rreme” është maskim i humbjeve reale. Një qeveri që funksionon në këtë mënyrë është e rrezikshme sepse nuk zhduk të drejtat me dhunë, por i bën të padukshme. Kur një e drejtë bëhet e padukshme, ajo veç më është zhdukur.

Flaka
Botuar nga Flaka 21 Korrik, 2025 00:36
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Marrja e paautorizuar e teksteve dhe videove me të drejtë autoriale ose ndonjë përmbajtje të ngjashme pa pëlqimin paraprak me shkrim të Flaka Media do të konsiderohet shkelje e të drejtave autoriale dhe për këtë Flaka e ruan të drejtën të kërkojë kompensim përkatës monetar.Mosrespektimi dhe abuzimi i të drejtave autoriale dhe të drejtave simotër dënohet me ligj.Çdo marrje e paautorizuar, shfrytëzim, përdorim apo publikim i tekstit, fotografitë ose videot apo çfarëdo përmbajtje tjetër e ngjashme që paraqet pronësi të Flaka Media, pa pëlqim paraprak me shkrim nga redaksua, ndalohet rreptësisht dhe për të njëjtën paguhet kompensim përkatës financiar, për çka pronari ka të drejtë të nis procedurë përkatëse.Në rast të marrjes së teksteve autoriale dhe videove apo çfarëdo përmbajtje tjetër, në mënyrë të obligueshme nevojitet pëlqim paraprak nga Flaka Media dhe vendosje të linkut që do të çojë deri në web faqen e Flaka Media.