Mickoski: Memorandumi me “Kazanxhi Grup” hap rrugë për projekt energjetik
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka njoftuar sot për nënshkrimin e një memorandumi bashkëpunimi me kompaninë “Kazanxhi Grup”, për një projekt strategjik në fushën e energjisë, me vlerë investimi deri në 1 miliard euro.
Gjatë fjalës së tij në ceremoninë zyrtare, Mickoski theksoi rëndësinë jetike të këtij projekti për të ardhmen energjetike të vendit:
“Sot dërgojmë një sinjal të qartë se kemi vullnet, plan dhe kapacitet për të siguruar sovranitetin tonë energjetik dhe për të mbrojtur interesin ekonomik të vendit në plan afatgjatë,” deklaroi Kryeministri.
Projekti përfshin tre komponentë kyç:
- Zhvillimin e kapaciteteve të reja për prodhimin e energjisë elektrike;
- Ndërtimin e një rrjeti të shpërndarjes së gazit natyror;
- Masa për rritjen e sigurisë së furnizimit me gaz.
“Ky nuk është vetëm një projekt infrastrukturor,” theksoi Mickoski. “Ky është një projekt që ndikon në sigurinë, stabilitetin dhe të ardhmen ekonomike të vendit. Të kemi burimet tona dhe shpërndarjen e qëndrueshme do të thotë të kemi siguri, parashikueshmëri dhe kontroll mbi një nga sistemet më të rëndësishme në vend.”
Sipas tij, investimi do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë edhe në sektorë të tjerë, duke përfshirë industrinë, punësimin dhe pavarësinë energjetike të vendit.
“Me këtë investim hapen mundësi të reja për industrinë, mbështetet gazifikimi, hapen vende të reja pune dhe forcohet qëndrueshmëria energjetike. Në të njëjtën kohë, zvogëlojmë varësinë nga importet dhe ndikimin e çmimeve të jashtme dhe rreziqeve politike,” tha ai.
Kryeministri vlerësoi kompaninë investuese për besimin e dhënë dhe potencoi se Maqedonia e Veriut është gati për projekte të tilla madhore:
“Do të doja të shprehja mirënjohjen time për ‘Kazanxhi Grup’ për besimin që treguan ndaj vendit dhe institucioneve tona. Maqedonia ofron kushte për investime serioze dhe afatgjata, dhe ngjarja e sotme është dëshmi e kësaj,” theksoi ai.
Mickoski shtoi se qeveria mbetet e përkushtuar ndaj zhvillimit energjetik si prioritet strategjik:
“Qëllimi ynë është i qartë – ta ndërtojmë vendin si një subjekt energjetik të qëndrueshëm dhe të pavarur në rajon,” deklaroi ai, duke theksuar se ky projekt nuk është qëllim final, por vetëm hapi i parë drejt një transformimi sistemik.
Në përmbyllje, Mickoski theksoi filozofinë udhëheqëse të qeverisjes së tij:
“Ky është një hap tjetër konkret përpara. Me punë, me stabilitet dhe me partneritete, po hapim mundësitë që meritojmë. Në këtë mënyrë po ndërtojmë themelet e ndryshimeve – ndershëm, me përgjegjshmëri dhe të përkushtuar në çdo fushë.” Flaka














