Xhaka kërkon rikthimin në Angli
Kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka, ka shprehur dëshirën për t’u larguar nga Bayer Leverkusen dhe për t’u rikthyer në Premier League, ku ka arritur një marrëveshje personale me Sunderlandin, ekipin e sapo-promovuar në elitën angleze.
Sipas agjentit të tij, José Nogueira, Xhaka është i entuziazmuar për projektin e Sunderlandit dhe është gati të përballet me sfidën e re:
“Graniti dëshiron të kthehet në Premier League. Sunderland është një opsion emocionues për të dhe ai është i gatshëm ta marrë përsipër këtë sfidë. Shpresojmë që Leverkuseni ta respektojë dëshirën e tij për t’u transferuar dhe të arrijë një marrëveshje së shpejti.”
Negociatat mes klubeve janë ende në vazhdim, ndërsa Leverkuseni ka vendosur kushte të qarta për shitjen e mesfushorit 32-vjeçar. Drejtori sportiv Simon Rolfes ka deklaruar se transferimi mund të ndodhë vetëm nëse është një situatë fitimprurëse për të gjitha palët.
Xhaka ka qenë një figurë kyçe për Leverkusenin, duke ndihmuar klubin të fitojë Bundesligën dhe Kupën e Gjermanisë në sezonin 2023/24. Ai ka kontratë deri në vitin 2028, por dëshira për t’u rikthyer në Angli mbetet e fortë.
Flaka














