Mashtrim me kriptovaluta në Kroaci – i riu humb 30 mijë euro pas kontaktit në rrjetet sociale
Një 23-vjeçar nga Qarku Krapina-Zagorje ka raportuar në Policinë e Kroacisë se ka qenë viktimë e një mashtrimi të sofistikuar me kriptovaluta, ku ka humbur mbi 30 mijë euro. Sipas deklaratës së tij, mashtrimi nisi në fund të vitit 2024, kur ai ra në kontakt me një person të panjohur në një rrjet social, i cili e bindi të investonte në kriptovaluta për fitime të shpejta dhe të larta.
I riu ka kryer depozita të vazhdueshme në llogarinë e një kompanie të dyshimtë deri në prill 2025, por pas pagesës së fundit, komunikimi u ndërpre papritur dhe nuk ka pasur më asnjë kontakt me personin në fjalë.
Departamenti i Policisë Krapina-Zagorje ka nisur një hetim penal, duke paralajmëruar qytetarët që të jenë të kujdesshëm ndaj ofertave të dyshimta në internet. “Është e rëndësishme të kontrollohet nëse kompanitë që ofrojnë shërbime të tilla kanë licencë për të vepruar në Kroaci, dhe të konsultohen me ekspertë financiarë para çdo investimi që premton **fitime të mëdha dhe të shpejta,” thuhet në deklaratën zyrtare.
Flaka














