Zjarret përfshijnë vendin – 37 vatra të regjistruara, pesë ende aktive
Deri në orën 07:30 të mëngjesit të sotëm, autoritetet kanë regjistruar 37 zjarre në hapësira të hapura në territorin e Maqedonisë së Veriut. Sipas të dhënave zyrtare, pesë prej tyre janë ende aktive, tre janë vënë nën kontroll, ndërsa 29 janë shuar.
Zjarret aktive:
- Komuna e Vasillevës, Radovish dhe Berovë – në fshatin Niviçinë, në malin Golem Goten dhe Malet e Maleshevës, ku digjet pyll me vegjetacion të ulët, bredha dhe shkurre.
- Fshati Greshnicë, Makedonski Brod – zjarri ka përfshirë një pyll të përzier dhe bar të thatë.
- Mes fshatrave Lokvicë dhe Krapë – digjet pyll i degraduar me dushk dhe vegjetacion i ulët.
- Fshati Beshishtë (Beshishki Rid) – përfshirë nga flakët një pyll i përzier.
- Komuna e Zhelinës – mes fshatrave Cerovë dhe Grupçin, ku digjet një pyll i degraduar dhe vegjetacion i ulët.
“Situata është dinamike dhe pjesë e ekipeve janë ende në terren për të lokalizuar vatrat që rrezikojnë të përhapen për shkak të erërave dhe temperaturave të larta,” bëjnë të ditur nga Qendra për Menaxhim me Kriza.
Zjarret nën kontroll:
- Mes fshatrave Careviq dhe Smollane (Prilep) – vendi i quajtur Radobil Ridi, ku ishte përfshirë një pyll i përzier dhe bimësi e ulët.
- Fshati Latovë (vendi “Markova Stapalka”) – zjarri kishte kapur shkurre dhe bar të thatë.
- Afër tuneleve të autostradës E-75, Demir Kapi – ku digjej vegjetacion i ulët, tashmë vatra është stabilizuar.
“Falë angazhimit të njësive zjarrfikëse dhe ndihmës nga vullnetarët lokalë, disa nga vatrat janë shuar ose vënë nën kontroll, por rreziku mbetet i lartë,” shtojnë autoritetet.
Thirrje për kujdes
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që të shmangin ndezjen e zjarreve në ambiente të hapura, të raportojnë menjëherë çdo vatër zjarri dhe të bashkëpunojnë me institucionet për menaxhimin e situatës.
“Jemi në një periudhë të ndjeshme dhe çdo pakujdesi mund të shndërrohet në katastrofë ekologjike dhe rrezik për jetën dhe pronën,” paralajmërojnë nga Shërbimi për Zjarrfikje.














