Temperatura ekstreme: Alarm i kuq, rekomandime për qytetarët – masa emergjente nga autoritetet

Flaka
Botuar nga Flaka 24 Korrik, 2025 10:33

Temperatura ekstreme: Alarm i kuq, rekomandime për qytetarët – masa emergjente nga autoritetet

Maqedonia e Veriut është përfshirë nga një valë ekstreme të nxehti që do të zgjasë deri të shtunën, me temperatura që në disa rajone do të arrijnë deri në 43°C. Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike (DPHM) ka aktivizuar alarmin e kuq, ndërsa institucionet shtetërore kanë filluar të zbatojnë masa parandaluese për mbrojtjen e shëndetit publik.

“Temperaturat do të jenë dukshëm mbi mesataren e muajit korrik,” njofton DPHM, duke sqaruar se vlerat më të larta do të regjistrohen në rajonin e Shkupit, Vardarit dhe juglindjes, ku pritet të shkojnë nga 38 deri në 43 gradë Celsius.

Në këtë kontekst, Qeveria ka miratuar një Vendim që detyron punëdhënësit që nga data 23 deri më 26 korrik t’i lirojnë nga puna gratë shtatzëna dhe personat mbi 60 vjeç, si dhe t’u mundësojnë punonjësve kushte të përshtatshme pune në ambiente të freskëta.

Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) ka bërë thirrje për zbatim strikt të masave të vetëmbrojtjes.
“Apelojmë që qytetarët të qëndrojnë në ambiente të freskëta, veçanërisht në periudhën nga ora 11 deri në 17, të pinë shumë lëngje dhe të shmangin pijet alkoolike dhe ato me sheqer,” theksohet në komunikatën e ISHP-së.

Ministria e Shëndetësisë gjithashtu theksoi rëndësinë e kujdesit për grupet më të rrezikuara:
“Nëse ndjeni marramendje, dhimbje koke, të përziera ose rrahje të shpejta të zemrës, kërkoni ndihmë mjekësore menjëherë dhe qëndroni në hapësira të freskëta deri në 25°C,” thuhet në apelin zyrtar.

Këshillat për veshje përfshijnë rroba pambuku të lehta me ngjyra të çelëta, syze mbrojtëse dhe kapelë me strehë të gjerë. Po ashtu, rekomandohet përdorimi i kremrave mbrojtës me faktor UV 30+ gjatë ekspozimit në diell.

Personat me sëmundje kronike janë këshilluar të jenë të disiplinuar dhe të marrin rregullisht terapinë e tyre.
“Veçanërisht të rrezikuar janë ata me sëmundje kardiovaskulare, neurologjike dhe respiratore,” thuhet nga ISHP.

Ushqyerja gjatë motit të nxehtë

ISHP rekomandon vakte më të lehta dhe të balancuara:
“Gjatë të nxehtit konsumoni ushqime me përmbajtje të lartë uji si domate, kastravecë, shalqi dhe pjeprinj, shmangni ushqimet e rënda me shumë proteina dhe yndyra,” këshillojnë ekspertët.

Parandalimi i helmimeve nga ushqimi

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka dhënë udhëzime për ruajtjen dhe përgatitjen e sigurt të ushqimeve në këtë periudhë:
“Produktet ushqimore, sidomos ato me origjinë shtazore, duhet të ruhen në temperatura të përshtatshme dhe të mos blihen nga burime të pasigurta,” njoftojnë nga AUV.

Ushqimet pas gatimit duhet të ruhen në frigorifer pasi të jenë ftohur, ndërsa duhet të mbrohen nga insektet, brejtësit dhe kafshët shtëpiake.

Edhe kafshët në rrezik

Vala e të nxehtit po ndikon negativisht edhe te kafshët. Sipas AUV:
“Stresi i shkaktuar nga temperaturat e larta ndikon në uljen e konsumit të ushqimit, rrit nevojën për ujë, si dhe ul prodhimin e qumështit.”

Flaka
Botuar nga Flaka 24 Korrik, 2025 10:33
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Marrja e paautorizuar e teksteve dhe videove me të drejtë autoriale ose ndonjë përmbajtje të ngjashme pa pëlqimin paraprak me shkrim të Flaka Media do të konsiderohet shkelje e të drejtave autoriale dhe për këtë Flaka e ruan të drejtën të kërkojë kompensim përkatës monetar.Mosrespektimi dhe abuzimi i të drejtave autoriale dhe të drejtave simotër dënohet me ligj.Çdo marrje e paautorizuar, shfrytëzim, përdorim apo publikim i tekstit, fotografitë ose videot apo çfarëdo përmbajtje tjetër e ngjashme që paraqet pronësi të Flaka Media, pa pëlqim paraprak me shkrim nga redaksua, ndalohet rreptësisht dhe për të njëjtën paguhet kompensim përkatës financiar, për çka pronari ka të drejtë të nis procedurë përkatëse.Në rast të marrjes së teksteve autoriale dhe videove apo çfarëdo përmbajtje tjetër, në mënyrë të obligueshme nevojitet pëlqim paraprak nga Flaka Media dhe vendosje të linkut që do të çojë deri në web faqen e Flaka Media.