Arben Taravari kujton Adem Demaçin: “Një jetë e tërë në shërbim të lirisë”
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, dr. Arben Taravari, ka përkujtuar veprimtarin e shquar të çështjes kombëtare, Adem Demaçin, në 7-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta.
“Sot, 7 vite pa Adem Demaçin. Një jetë e tërë në shërbim të lirisë!”, shkruan Taravari.
Në mesazhin e tij përkujtimor, ai e ka cilësuar Demaçin si simbol të pathyeshmërisë shqiptare dhe njeri që nuk u përkul kurrë përballë padrejtësisë.
“Adem Demaçi, njeriu që sfidoi diktaturën dhe qëndroi plot 28 vite në burgjet jugosllave, u bë simbol i pathyeshmërisë shqiptare – ‘Mandela i Kosovës’,” thekson Taravari.
Duke cituar fjalët e vetë Demaçit – “Liria nuk është dhuratë, ajo fitohet me mund, sakrificë dhe qëndresë” – Taravari nënvizon se ideali për të cilin u përkushtua Demaçi vazhdon të jetë frymëzim për brezat.
“Ai ia kushtoi jetën lirisë së popullit shqiptar. Kontributi i tij për Kosovën dhe kombin shqiptar do të mbetet përjetësisht i gjallë,” shkruan ai.
Në fund, kreu i ASH-së përmbyll mesazhin me një nderim solemn:
“Lavdi jetës dhe veprës së Adem Demaçit!” Flaka














