Aleanca për Shqiptarët në Likovë zgjedh Shkëlqim Musliun në krye të betejës zgjedhore
Në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet lokale të tetorit, Aleanca për Shqiptarët (ASH) po vazhdon me intensifikimin e aktiviteteve në terren dhe konsolidimin e strukturave partiake nëpër degë e lokalitete.
Sot, në Likovë, Kuvendi i Degës së Aleancës për Shqiptarët zgjodhi Shefin e Shtabit për Zgjedhjet Lokale, ku me vota unanime, në krye të shtabit u emërua Shkëlqim Musliu. Ai mori besimin e plotë të strukturës lokale për të udhëhequr përgatitjet dhe organizimin e fushatës elektorale në këtë komunë.
Kryetari i ASH-së, Arben Taravari, përshëndeti vendimin e degës së Likovës, duke uruar emrin e sapozgjedhur për detyrën e re.
“Urime Shkëlqim për detyrën e re! Suksese në punë, na priftë e mbara në këtë proces të rëndësishëm zgjedhor!”
Ndërkohë, ditën e djeshme në fshatin Çegran të Gostivarit, ASH ka zyrtarizuar themelimin e shtabit zgjedhor lokal, gjatë një takimi me aktivistët, strukturat partiake dhe qytetarët e zonës. Në këtë tubim, me mbështetje unanime, në krye të shtabit është zgjedhur Afet Bilalli, një figurë e njohur për përvojën në organizimin politik lokal dhe për angazhimin e vazhdueshëm në terren.
Me këto zhvillime, Aleanca për Shqiptarët tregon vendosmërinë për një fushatë të organizuar dhe gjithëpërfshirëse, duke u fokusuar në mobilizimin e anëtarësisë dhe fuqizimin e strukturave në çdo lokalitet në prag të zgjedhjeve lokale të vjeshtës. Flaka Media














