Aleanca për Shqiptarët themelon shtabin zgjedhor në Çegran – Taravari: Koha për rikthimin e dinjitetit shqiptar
Aleanca për Shqiptarët (ASH) ka zyrtarizuar themelimin e shtabit zgjedhor për zgjedhjet lokale të vjeshtës në fshatin Çegran të Gostivarit, gjatë një takimi me strukturat partiake, aktivistët dhe qytetarët e zonës.
Me mbështetje unanime, në krye të shtabit u zgjodh Afet Bilalli, një figurë me përvojë të gjatë në organizimin lokal dhe angazhime politike në terren.
Kreu i ASH-së, Arben Taravari, në fjalën e tij theksoi se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut po përballen me një margjinalizim sistematik dhe nënvizoi se rikthimi i dinjitetit dhe përfaqësimit real është mision urgjent i forcës që ai drejton.
“Ne do ta kthejmë besimin dhe dinjitetin shqiptar atje ku i takon, sepse për shumë kohë kemi qenë të anashkaluar e të nënvlerësuar”, deklaroi Taravari, duke shtuar se Çegrani dhe zona përreth do të kenë vëmendjen e duhur në programin e ardhshëm zhvillimor të ASH-së.
Në takim foli edhe kryetari aktual i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, i cili prezantoi punën e deritanishme të komunës dhe projektet në vijim. Ai theksoi se Çegrani do të jetë pjesë integrale e planeve të reja për zhvillim infrastrukturor, ekonomik dhe social, duke garantuar se asnjë vendbanim nuk do të mbetet mbrapa.
ASH duket e vendosur të forcojë praninë në baza lokale në prag të zgjedhjeve, duke sinjalizuar një fushatë të përqendruar te problemet konkrete dhe rikthimi i besimit te elektorati shqiptar. Flaka














