Valbon Limani – kandidati i ASH-së për Gostivarin, me profil të fuqishëm profesional dhe institucional
Aleanca për Shqiptarët ka konfirmuar kandidaturën e Dr. Valbon Limanit për kryetar të Komunës së Gostivarit në zgjedhjet lokale të tetorit 2025. Dr. Limani është figurë e njohur në fushën e mjekësisë dhe njëkohësisht një emër i angazhuar në skenën publike dhe institucionale të qytetit.
Kush është Valbon Limani?
I lindur më 19 maj 1980 në Gostivar, Dr. Valbon Limani është specialist i endokrinologjisë dhe aktualisht ushtron funksionin e ushtruesit të detyrës së kryetarit të Komunës së Gostivarit. Ai punon në Klinikën Universitare të Endokrinologjisë, Diabetit dhe Çrregullimeve Metabolike në Shkup dhe është i përfshirë aktivisht edhe në arsim si ish-asistent në Universitetin Shtetëror të Tetovës gjatë viteve 2022–2024.
Nga këshilltar në udhëheqës të komunës
Karriera politike e Limanit mori hov më 26 nëntor 2021, kur u zgjodh kryetar i Këshillit Komunal të Gostivarit. Pas dorëheqjes së kryetarit të mëparshëm, më 8 korrik 2024, Limani u votua me 22 vota pro dhe 9 kundër për të marrë postin e ushtruesit të detyrës së kryetarit të Komunës – një detyrë që do ta mbajë deri në mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta lokale.
Angazhimi profesional dhe civil
Përveç profesionit të tij si mjek, Dr. Limani është anëtar i disa organizatave kombëtare dhe ndërkombëtare shkencore, përfshirë Shoqatën Shkencore të Endokrinologëve dhe Diabetologëve të Maqedonisë dhe Asociacionin Evropian për Studimin e Diabetit (EASD). Ai ka pasur rol aktiv edhe në sektorin civil si kryetar i bordit drejtues të shoqatës “Most” (2014–2016) dhe anëtar i OJQ-së “Qendra Evropiane për Zhvillim, Tolerancë dhe Bashkëpunim”.
Jeta private
Dr. Valbon Limani është i martuar dhe baba i tre fëmijëve. Kandidatura e tij shihet si kombinim i kompetencës profesionale, përvojës institucionale dhe integritetit qytetar. Flaka














