Leao: “Milani me Allegrin është një ekip i vërtetë”
Sulmuesi portugez Rafael Leao ka dhënë një deklaratë të fortë për mediat australiane, duke theksuar se “gjithçka ka ndryshuar” te Milani me ardhjen e trajnerit Massimiliano Allegri. Duke folur përpara ndeshjes miqësore kundër Perth Glory, Leao u shpreh se këtë sezon Rossonerët do të jenë një ekip i vërtetë, me frymë të re dhe përkushtim të lartë.
“Ne kemi një trajner me përvojë që ka fituar tashmë këtu në Milan. Jemi një grup i ri, me disa lojtarë me përvojë që kanë qenë këtu për një kohë të gjatë. Po ndërtojmë ekipin me frymën e duhur që ndihmon edhe kur nuk po luajmë mirë,” tha Leao.
Ai gjithashtu përgëzoi tifozët e Milanit në Australi për mbështetjen e jashtëzakonshme: “Ka vërtet shumë prej tyre dhe mund ta ndjesh mbështetjen e tyre. Jemi shumë të lumtur që kemi marrë këtë mirëseardhje dhe do të përpiqemi t’ua shpërblejmë me një performancë të mirë kundër Perth.”
Me Santiago Gimenez ende në pushime, Leao ka luajtur si sulmues qendror, ndërsa klubi vazhdon kërkimin për një qendërsulmues të ri. Emri më i përfolur është Dusan Vlahovic, sulmuesi i Juventusit, i cili mund të bashkohet me Milanin nëse palët arrijnë marrëveshje për pagën dhe tarifën e transferimit.
Allegri dhe drejtori sportiv Igli Tare kanë sjellë një qasje më të arsyeshme në menaxhimin e skuadrës, me blerje të zgjuara si Samuele Ricci, i cili po përshtatet mirë në mesfushë.
Flaka














