Kur stadiumi bëhet tribunë urrejtjeje: Gjeneza e thirrjeve raciste në Maqedoninë e Veriut

Flaka
Botuar nga Flaka 5 Gusht, 2025 21:05

Kur stadiumi bëhet tribunë urrejtjeje: Gjeneza e thirrjeve raciste në Maqedoninë e Veriut

Driton Zenku – Sociolog / gazetar

Ndeshja e fundit e basketbollit në Kumanovë mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë nuk u mbyll me rezultatin në tabelë, por me një kambanë alarmi që e dëgjuan të gjithë – në gjuhën e urrejtjes. Në një atmosferë që duhej të ishte festë sportive, stadiumi u shndërrua në një arenë ku u dëgjuan parulla të turpshme si “Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur”, e deri te evokimet e dhomave të gazit. Një skandal i denjë për çdo raport ndërkombëtar për urrejtje racore, por mbi të gjitha, një pasqyrë e thellë e realitetit të shtrembëruar brenda shoqërisë sonë.

Kjo nuk ishte hera e parë. Por duhet të jetë hera e fundit.

Kumanova nuk është përjashtim. Stadiumet në Maqedoninë e Veriut – nga Shkupi në Manastir, nga Tetova në Strumicë – prej vitesh janë kthyer në hapësira ku urrejtja ndaj shqiptarëve, romëve, turqve dhe komuniteteve të tjera jehon lirshëm. Përballë kamerave, fëmijëve, lojtarëve dhe… heshtjes së autoriteteve.

Por si mbërritëm deri këtu?

Stadiumi si pasqyrë e shoqërisë: një histori e vjetër

Stadiumet nuk janë të ndara nga realiteti social – përkundrazi, ato janë amplifikatorë të tij. Kur rruga flet me mllef, stadiumi ulëret. Kur politika shpërndan frikë e ndasi, tifozeria i kthen ato në kore dhe banere. Kjo është ajo që ka ndodhur në Maqedoni: një shoqëri e ndarë etnikisht, një politikë që përfiton nga ndarjet, dhe një sistem arsimor që shpesh e mëson heshtjen përballë urrejtjes – jo reagimin.

Në vend që sporti të shërbente si urë mes komuniteteve, ai shpesh është kthyer në një front lufte simbolike. Në vend të flamujve të barazisë, valojnë parulla për pastrime etnike. Në vend të himneve të bashkimit, dëgjohen këngë që glorifikojnë vrasje dhe persekutim.

Kur urrejtja ndihmohet nga heshtja

Nuk janë vetëm koreografitë dhe thirrjet. Është mungesa e reagimit institucional që i jep oksigjen këtij fenomeni. Ku ishte Federata e Basketbollit pas skandalit në Kumanovë? Ku ishin dënimet, gjobat, përjashtimet nga ndeshjet? Po Ministria e Kulturës dhe Sportit? Po vetë kryeministri, që ndodhej në tribunë në momentin kur dëgjoheshin thirrjet më të tmerrshme?

Të gjithë heshtën. Sepse ndoshta dikush nga ata që brohorisnin voton. Sepse urrejtja, për disa, është e leverdishme. Sepse në këtë vend, më e rrezikshme duket fjala që e dënon urrejtjen, sesa vetë urrejtja.

Kur urrejtja nuk ndëshkohet, ajo përsëritet

Nëse një i ri sot mëson se mund të ulërasë “vdekje për tjetrin” në një ndeshje dhe të mos ndëshkohet, nesër ai e thotë në rrugë, pasnesër në shkollë, një ditë në punë – e ndoshta një ditë do ta shndërrojë në dhunë reale.

Kur urrejtja nuk ndëshkohet, ajo rritet. Kthehet në normë. Bëhet “humor”, “patriotizëm”, “traditë”. Kjo është rruga që shumë shoqëri kanë ndjekur para nesh. Disa përfunduan në luftë. Të tjerat në diktaturë të urrejtjes.

A ka kthim pas? Po, por kërkon guxim.

Kthimi mbrapa kërkon dënim të qartë dhe publik të çdo thirrjeje raciste, nga politika te sporti, ndëshkime reale për klubet dhe grupet që promovojnë urrejtjen, edukim të hershëm për sportin si mjet bashkimi, dhe mbi të gjitha, një shoqëri që refuzon të jetë turma që brohoret për vdekjen e tjetrit.

Sporti është fushë për fitore, jo për urrejtje. Është garë për pikë, jo për pikëllim. Nëse nuk e kuptojmë këtë tani, atëherë nuk do të jetë vetëm loja ajo që do të humbasim – por vetë mundësia për të bashkëjetuar.

Sporti dhe identiteti kolektiv

Shekulli XIX – fillimi i shekullit XX: Me industrializimin dhe krijimin e klasës punëtore urbane, futbolli në Evropë bëhet një mjet për komunitetet lokale që të shprehin identitetin dhe solidaritetin.

Në të njëjtën kohë, nis të lindë edhe ndarja “ne vs ata”, duke krijuar një terren të përshtatshëm për urrejtje ndaj “të huajve” — qofshin ata rivalë lokalë, emigrantë apo minoritete.

Politizimi i sportit (1930–1980)

Fashizmi dhe nacionalizmi përdorën sportin si mjet propagandistik, bie fjala Italia e Mussolinit, Gjermania naziste dhe më vonë regjimet komuniste e përdorën futbollin për të përforcuar identitetin etnik/racial.

Në këtë periudhë lindin edhe shumë ultras dhe grupe tifozësh të organizuar që nganjëherë përqafojnë ideologji ekstremiste (p.sh. simbole naziste apo nacionaliste).

Racizmi dhe huliganizmi në vitet 1980–1990

Në Britani, Itali, Francë e vende të tjera, thirrjet raciste ndaj lojtarëve me ngjyrë u bënë të zakonshme. Shprehjet si “monkey chants” apo hedhja e bananeve ishin të përhapura.

Huliganizmi u bë një fenomen i rrezikshëm ku dhuna, racizmi dhe ekstremizmi përziheshin në mënyrë shqetësuese.

Disa klube u lidhën me ideologji ekstreme të djathta (p.sh. Lazio në Itali, Millwall në Angli).

Përhapja globale dhe nacionalizmat lokalë (Vitet 1990 dhe deri më sot)

Globalizimi i futbollit solli përzierje më të madhe racore dhe etnike te lojtarët, çka shpesh u përball me reagim racist nga tifozët konservatorë.

Ballkani dhe Europa Lindore pas rënies së komunizmit u përfshinë nga valë nacionalizmi të ashpër.Thirrje anti-shqiptare, anti-serbe, anti-rome, anti-boshnjake etj. u bënë të zakonshme në stadiumet e Maqedonisë së Veriut, Serbisë, Kroacisë, Bullgarisë, Greqisë etj.

Në shumë raste, grupet ultranacionaliste përdorin stadiumet për të testuar reagimin publik ndaj gjuhës së urrejtjes.

Mediat sociale dhe “normalizimi” i urrejtjes

Në dekadën e fundit, rrjetet sociale kanë amplifikuar thirrjet raciste, duke e bërë më të lehtë për grupet ekstremiste të organizohen dhe të shpërndajnë mesazhet e tyre.

Stadiumi është kthyer në një hapësirë “të mbrojtur” për shprehje që do të ishin të ndëshkueshme në ambiente të tjera.

Rasti i Maqedonisë së Veriut dhe rajonit

Në kontekste të tensionuara ndëretnike (si në Maqedoninë e Veriut), thirrjet raciste marrin formë etnike-politike.

Anti-shqiptarizmi, anti-turqizmi, anti-romët, por edhe thirrje islamofobe janë shfaqur në ndeshje të klubeve si Shkëndija, Vardari, Shkupi, Pelisteri etj.

Tifozë si “Komitët”, “Čkembari”, “Vojvodat” kanë qenë shpesh në qendër të skandaleve me thirrje raciste apo nacionaliste.

Shteti, federatat sportive dhe klubet shpesh kanë dështuar të marrin masa efektive. Gjenezën e thirrjeve raciste në stadiume mund ta përmblidhim si një kombinim i këtyre faktorëve, stadiumi si hapësirë kolektive për identitetin dhe tensionin shoqëror, politizimi i sportit në kohëra krize. ndikimi i ideologjive ekstremiste te grupet e tifozëve, dështimi i autoriteteve për të ndëshkuar gjuhën e urrejtjes, por edhe reprodukimi i stereotipeve përmes mediave dhe rrjeteve sociale.

    Flaka
    Botuar nga Flaka 5 Gusht, 2025 21:05
    Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

    Marrja e paautorizuar e teksteve dhe videove me të drejtë autoriale ose ndonjë përmbajtje të ngjashme pa pëlqimin paraprak me shkrim të Flaka Media do të konsiderohet shkelje e të drejtave autoriale dhe për këtë Flaka e ruan të drejtën të kërkojë kompensim përkatës monetar.Mosrespektimi dhe abuzimi i të drejtave autoriale dhe të drejtave simotër dënohet me ligj.Çdo marrje e paautorizuar, shfrytëzim, përdorim apo publikim i tekstit, fotografitë ose videot apo çfarëdo përmbajtje tjetër e ngjashme që paraqet pronësi të Flaka Media, pa pëlqim paraprak me shkrim nga redaksua, ndalohet rreptësisht dhe për të njëjtën paguhet kompensim përkatës financiar, për çka pronari ka të drejtë të nis procedurë përkatëse.Në rast të marrjes së teksteve autoriale dhe videove apo çfarëdo përmbajtje tjetër, në mënyrë të obligueshme nevojitet pëlqim paraprak nga Flaka Media dhe vendosje të linkut që do të çojë deri në web faqen e Flaka Media.