Emshiu: “Me besimin tuaj, ndryshimi në Bogovinë do të jetë edhe më i madh”
Kryetari aktual i Komunës së Bogovinës dhe kandidati i propozuar për një mandat të dytë nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim, Besnik Emshiu, ka falënderuar strukturat e partisë dhe qytetarët për mbështetjen.
“Sot, me një ndjenjë të thellë mirënjohjeje dhe përulësie, ju drejtohem të gjithëve nga zemra për të shprehur falënderimin tim më të sinqertë për përkrahjen dhe besimin që më dhatë duke më propozuar dhe mbështetur si kandidat për mandatin e dytë për kryetar të komunës së Bogovinës”, tha Emshiu.
Ai theksoi se ky vendim nuk është vetëm mbështetje politike, por “një obligim moral dhe kombëtar, një përgjegjësi e madhe ndaj qytetarëve tanë dhe ndaj misionit të përbashkët për të zhvilluar komunën e Bogovinës”.
Në fjalën e tij, Emshiu shprehu falënderim të veçantë për liderin e BDI-së, Ali Ahmeti. “Kryetari Ali Ahmeti me urtësinë, përvojën dhe largpamësinë e tij ka qenë dhe mbetet udhërrëfyes jo vetëm për mua personalisht, por për gjithë ne që kemi vendosur të shërbejmë me përkushtim ndaj komunitetit dhe kombit”, tha ai.
Duke folur për mandatin e kaluar, Emshiu u shpreh: “Kemi përballuar sfida jo të vogla, por mbi të gjitha kemi ndërtuar themelin e një komune më moderne, më të zhvilluar dhe më të denjë për qytetarët e saj. Kemi dëshmuar se kur ka vullnet, transparencë dhe bashkëpunim, mund të arrihen rezultate konkrete dhe të prekshme.”
Ai premtoi se mandati i dytë do të jetë një fazë e re “me objektiva më të mëdha, me projekte më ambicioze dhe me angazhim edhe më të madh për çdo lagje, çdo fshat dhe çdo familje në komunën tonë”.
“Më shumë se kurrë, kemi nevojë për unitet, urtësi dhe vizion të qartë. Me përkrahjen tuaj dhe me besimin e qytetarëve të komunës së Bogovinës, jam i bindur se do ta bëjmë ndryshimin edhe më të madh – për një komunë ku të rinjtë shohin të ardhme, ku fermerët kanë përkrahje, ku shkollat dhe rrugët janë moderne, dhe ku çdo qytetar ndihet i përfaqësuar dhe i respektuar”, përfundoi Emshiu.














