Protestat në Serbi – 42 policë të plagosur dhe 37 të arrestuar
Në Beograd dhe Novi Sad, të enjten mbrëma, përsëri u shënuan incidente gjatë protestave kundër Qeverisë serbe, të thirrura nga studentët që prej muajsh po bllokojnë institucionet e arsimit të lartë.
Ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Ivica Daçiç, deklaroi se të paktën 42 policë u lënduan, disa rëndë, dhe u ndaluan 37 persona. Ai përshkroi ngjarjet e 14 gushtit si:
“Një nga sulmet më të ashpra ndaj policisë në vitet e fundit. Policia reagoi dhe ndërhyri, përdori mjete kimike aty ku ishte e nevojshme për të zmbrapsur sulmin ndaj vetes. Ky ishte një sulm ndaj shtetit. Ku e merr dikush të drejtën ta sulmojë një polic?”
Televizioni N1 raportoi se pranë ndërtesës së Shtabit të Përgjithshëm në Beograd u hodhën mjete piroteknike ndaj qytetarëve. Njësitë e xhandarmërisë kishin shtyrë më parë demonstruesit larg ndërtesës së Qeverisë për t’i ndarë nga mbështetësit e pushtetit.
Sipas gazetarëve të Radios Evropa e Lirë, një grup burrash me shkopinj ishte mbledhur pranë Shtabit të Përgjithshëm, ndërsa opozita Fronti i Gjelbër–Majtë publikoi video duke pretenduar se ata ishin mbështetës të pushtetit.
Në Novi Sad, disa demonstrues të maskuar shkaktuan dëme në zyrat e Partisë Progresive Serbe (SNS), duke nxjerrë karrige dhe kuti për vezë. Në Nish, demonstruesit goditën policinë me vezë, ndërsa në Kralevë dhe Leskoc hyrja në zyrat e SNS-it u bllokua nga policia.














