Bajram Rexhepi: “Tetova sot është qytet jofunksional, i zhytur në kaos dhe korrupsion”
Kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI) për komunën e Tetovës, Bajram Rexhepi, ka kritikuar ashpër gjendjen aktuale të qytetit, duke e quajtur atë jofunksional dhe të menaxhuar keq.
“Tetova sot është qytet jofunksional: pa planifikim hapësinor, pa gjelbërim të mirëmbajtur, pa hapësira publike dhe pa vendparkime. Edhe ato pak hapësira që i takonin qytetit, u shitën dhe u tjetërsuan në procedura korruptive”, ka theksuar Rexhepi.
Ai ka shtuar se qyteti është i kapur nga interesa të ngushta dhe jo në shërbim të qytetarëve:
“Në zemër të qytetit mbretëron kaos i organizuar, ku gjithçka i shërben interesave të grupeve, jo qytetarit. Uji faturohet pa matës, tatimet janë shumëfishuar, por shërbimet ndaj qytetarëve mungojnë.”
Si shembull të keqmenaxhimit urban, Rexhepi ka përmendur rrugën “Boris Kidriç”:
“Dikur një ndër pak rrugët me shirita të gjelbër, sot e shndërruar në përbindësh betoni e asfalti, pa dokumentacion dhe pa siguri.”
Në fund, kandidati i AKI-së theksoi angazhimin e tij për një vizion ndryshe për qytetin:
“Ne jemi këtu për të dëgjuar dhe për të vepruar #Bashkë me qytetarët, me një program të qartë #PërTetovënERe.” Flaka Media














