Flaka analizon: Mickoski – rreziku real i shqiptarëve, jo fantazma e Gruevskit
Prej muajsh në hapësirën publike shqiptare është rikthyer një debat i konsumuar mbi Nikolla Gruevskin, liderin e ikur të VMRO-DPMNE-së, që sot jeton në azil në Budapest. Shpesh ky emër përdoret për të ndezur frikëra të vjetra, për të kujtuar epokën e autoritarizmit dhe për të prodhuar mjegull politike në ditët tona. Por nëse për VLEN-in ka një mesazh të qartë, ai është ky: shqiptarët nuk kanë pse të merren me fantazmat e së shkuarës, kur përballë tyre, çdo ditë, qëndron një frontmen aktiv – Hristijan Mickoski.
Kryeministri aktual dhe lider i VMRO-DPMNE-së nuk është një figurë e së shkuarës, por një aktor real, me pushtet të plotë ekzekutiv, i cili po merr vendime që i prekin drejtpërdrejt shqiptarët. Ndërsa Gruevski sot është një pensioner politik i fshehur pas azilit hungarez, Mickoski është ai që po shkruan politikat e reja të diskriminimit, bllokimit dhe nënshtrimit.
Goditjet e përditshme të Mickoskit ndaj shqiptarëve
- Shkelja e parimit të Badenterit – Me arrogancë, Mickoski e relativizon dhe e minon parimin e Badenterit, duke e paraqitur si pengesë për funksionimin e shtetit. Ky qëndrim i hap rrugën dominimit të shumicës ndaj shqiptarëve, duke cenuar frymën e Marrëveshjes së Ohrit.
- Bllokimi i investimeve në zonat shqiptare – Projektet zhvillimore në komunat shqiptare janë ngadalësuar ose anashkaluar. Infrastrukturat kryesore – nga rrugët, deri te objektet arsimore dhe shëndetësore – trajtohen me standard të dyfishtë, duke lënë komunitetet shqiptare në harresë.
- Kufizimi i përfaqësimit shqiptar në administratë – Qeveria aktuale ka frenuar procesin e avancimit të shqiptarëve në institucionet shtetërore, duke mbajtur gjallë status-quonë e përfaqësimit të mangët dhe duke e penguar barazinë reale.
- Politikat e njëanshme në arsim – Mickoski po e orienton sistemin arsimor drejt narrativave nacionaliste, pa respektuar pluralizmin kulturor dhe historik, duke e lënë gjuhën dhe identitetin shqiptar të margjinalizuar.
- Mosrespektimi i simboleve dhe kulturës shqiptare – Çdo hap i qeverisë aktuale ka treguar mungesë vullneti për integrimin e plotë të trashëgimisë shqiptare në mozaikun shtetëror, duke imponuar një narrativë unike që përjashton të tjerët.
- Deshqiptarizimi i institucioneve të sigurisë – Po ndodh përjashtimi dhe margjinalizimi sistematik i shqiptarëve nga strukturat kyçe të ushtrisë që siç thotë, shqiptarët janë kufizuar dhe përjashtuar. E njëjta gjë po ndodh edhe në Polici dhe Agjencitë e sigurisë kombëtare.
- Fshirja e mërgatës dhe reduktimi i numrit të këshilltarëve komunalë: Së fundmi, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KShZ) ndezi polemika të ashpra pas vendimit për miratimin e udhëzimit mbi numrin e këshilltarëve në komunat e vendit dhe në qytetin e Shkupit. Ky vendim që fillimisht u sollë nga qeveria, shkaktoi reagime zinxhir tek përfaqësuesit shqiptarë, të cilët e cilësuan antikushtetues, të njëanshëm dhe të dëmshëm për demokracinë lokale.
- Centralizimi i pushtetit: Qeveria aktuale me në krye Mickoskin, e premtuam dezentalizimin, faktikisht vjen një ligj për vetëqeverisje lokale që është centralizim më tepër.
- Heqja e gjuhës shqipe nga tabelat: Ata janë në tre gjuhë, maqedonisht, anglisht dhe frëngjisht, teksa gjuha shqipe është hequr, ndryshe nga tabelat e kaluara. Në shumë raste, tabelat rrugore kanë vetëm mbishkrime në maqedonisht.
- Tentim për shfuqizimin e Badenterit: Qeveria filloi me realizimin e planit kundër përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të shqiptarëve dhe bashkësive të tjera etnike në institucionet shtetërore, duke paralajmëruar revidim të Badenterit.
- Kthimi i dhunës së rrugës, uliganizmi dhe tifozëria ektreme: Çdo ditë po shënohen raste të dhunës ndaj shqiptarëve nga uliganë maqedonas, thirrje raciste nga tribinat dhe persekutim publik i shqiptarëve.
Lista është e gjatë dhe po të përmendet të gjitha rastet e diskriminimit të shqiptarëve nga qeveria akuale, lajmi do të humbte strukturën dhe do të kalonte në roman.
Mickoski – një Gruevski i ri, por më i sofistikuar
Ndryshe nga Gruevski që vepronte përmes presionit të hapur, Mickoski preferon metodën e sofistikimit: diskursi i tij duket i qetë, shpesh i kamufluar me gjuhë teknike dhe “ekonomike”, por në thelb ai është po aq i rrezikshëm. Ai synon të bëjë shqiptarët të padukshëm në strukturat vendimmarrëse, duke i reduktuar në dekor të sistemit.
Si përfundim, VLEN e ka të qartë: beteja e shqiptarëve sot nuk është me një figurë të rrëzuar dhe të harruar në Budapest, por me Mickoskin që çdo ditë, nga kryeministria në Shkup, prodhon politika të dëmshme për ta. Fokusi duhet të jetë tek pushteti real, tek ai që merr vendime konkrete dhe tek pasojat që shqiptarët i ndjejnë përditë në komunat, institucionet dhe jetën e tyre.
Mickoski nuk është fantazmë, ai është realiteti i sotëm i shqiptarëve. Dhe ky realitet duhet sfiduar pa kompromis. Flaka Media














