Kur Mickoski mund të flasë si nacionalist, e shqiptarët jo
Editorial – Flaka
Në një shtet normal, deklaratat e Hristijan Mickoskit do të shkaktonin krizë politike. Por në Maqedoninë e Veriut, ato përkthehen në vota. Mbrëmë, nga Shkupi, lideri i VMRO-DPMNE-së foli me ton triumfues për “rikthimin e Kërçovës pas 20 vitesh”, sikur bëhej fjalë për ndonjë territor të humbur në luftë. Në fakt, ai fliste për një komunë të drejtuar nga shqiptarët.
Ky është thelbi i nacionalizmit që po legalizohet në politikën maqedonase – përmes fjalëve që i japin kuptim dominimit etnik, jo bashkëjetesës. Mickoski, i njëjti që në zgjedhjet parlamentare kërkonte vota me sloganin absurd “Maqedonia sërish e jotja”, tani e përkthen fushatën lokale në betejë për “çlirimin” e komunave shqiptare. Dhe kjo kalon pa asnjë pasojë. Asnjë reagim, asnjë kritikë serioze, asnjë reflektim publik.
Por, paradoksi është diku tjetër.
Kur një politikan shqiptar përmend pabarazinë, përfaqësimin apo dinjitetin kombëtar, menjëherë shpallet “ekstremist”, “provokator”, “pasardhës i retorikës së BDI-së”. Kur Mickoski bën të njëjtën gjë, shpallet “patriot”. Ky është standardi i dyfishtë që po e mban peng Maqedoninë – nacionalizmi maqedonas është i ligjshëm, ai shqiptar është “rrezik për shtetin”.
Rasti më i freskët është Bërvenica.
Pasi kandidati shqiptar Haqim Ramadani artikuloi qëndrime të qarta politike, Mickoski reagoi si përfaqësues i rendit suprem: e kërcënoi me shkarkim nga posti shtetëror dhe u kujdes ta “disiplinojë” edhe Bilall Kasamin, duke deklaruar se “në komunat multietnike nuk guxohet të flitet ashtu”. Me fjalë të tjera – shqiptarët mund të kenë poste, por jo zë.
Ky qëndrim e zbulon qartë logjikën që udhëheq këtë pushtet: shqiptarët le të jenë pjesë e qeverisë, për sa kohë janë të heshtur, të nënshtruar dhe të vetëcensuruar. Por sapo artikulojnë diçka që prek raportin real të forcave, menjëherë trajtohen si kërcënim për “bashkëjetesën”.
Në realitet, kjo nuk është bashkëjetesë. Është monolog politik me dekor multietnik.
Dhe derisa Mickoski fiton zgjedhje me slogane që duken të frymëzuara nga kohët e Millosheviçit, askush nuk e mban përgjegjës. As institucionet, as mediat, as opinionistët që bëjnë moral vetëm kur flet ndonjë shqiptar.
Nëse Maqedonia do të ishte vërtet shtet i barabartë, nacionalizmi nuk do të kishte etni. Por sot ai ka – dhe është maqedonas.
Për shqiptarët, edhe vetëdija kombëtare po paraqitet si faj.
Dhe ky është problemi themelor: jo se Mickoski e përdor nacionalizmin, por se sistemi ia mundëson ta bëjë pa ndëshkim.
Sepse sa herë që shqiptarët ndalohen të flasin, dikush tjetër flet në emër të tyre.
Dhe ky është mësimi që duket se ende s’e kemi kuptuar.














