Mbyllen dyert e Komunës së Vrapçishtit – A do t’i hapë nesër i besuari i Qeverisë?”
Nga kjo e hënë, Komuna e Vrapçishtit ka ndërprerë përkohësisht funksionimin, pas vendimit të paralajmëruar nga Qeveria që nga dita e martë të caktojë një të besuar të saj si ushtrues detyre për kryetar komune.
Sipas kryetarit aktual, Isen Shabani, arsyeja e këtij vendimi lidhet me mosarritjen e censusit zgjedhor, e cila ka penguar përfundimin e procesit zgjedhor në këtë komunë. Kryeministri kishte paralajmëruar më herët se, në rastet ku nuk është arritur censusi, Qeveria do të ndërhyjë duke caktuar ushtrues detyre deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
Megjithatë, Shabani, i cili garon për mandatin e tij të tretë, e konsideron këtë vendim të kundërligjshëm. “Kodi Zgjedhor parasheh emërimin e ushtruesit të detyrës vetëm nëse dështon censusi edhe në rrethin e dytë,” deklaroi ai.
Shabani thotë se mandati i tij përfundoi dje dhe se nuk ka më arsye të qëndrojë në komunë.
“Mua dje më datë 9 nëntor më ka mbaruar mandati. Sot është data dhjetë dhe për këtë duhet ta pyesni Qeverinë, apo të besueshmin e Qeverisë. Ai nga sot duhej të ishte në detyrë, dhe sigurisht përgjegjësia është e Qeverisë dhe të besueshmit të Qeverisë se përse dera është mbyllur. Mandati im dje ka përfunduar dhe sot unë jam qytetar i lirë”, tha Isen Shabani, ish-kryetar i komunës së Vrapçishtit.
Ai nuk ka ndërmend t’i hapë dyert e komunës, dhe kur u pyet nëse do t’ua dorëzonte çelësat personit të caktuar nga Qeveria, deklaroi se çelësat i ka kryeministri dhe ai është ai që duhet t’i dorëzojë. Ai gjithashtu përshëndeti Qeverinë dhe tha se është i gatshëm të bashkëpunojë me ta në çdo mënyrë.
“Po le të shkoj të kryeministri ai do ia jep çelësin. Kjo do ngel tek ne, sepse unë nuk dorëzoj mandat. Po t`i kisha humbur zgjedhjet unë do e pritsha në zyrën time dhe sipas normave unë do i dorëzoja mandatin. Por në këtë situatë dhe këto turbulenca apo lojëra të fëlliqura që mundohen të bëjnë ortakët VLEN dhe VMRO të mirë menduar dhe orkestruar, do përballemi, këtu jemi në çdo kohë”, pohoi Isen Shabani, ish-kryetar i komunës së Vrapçishtit.
Ndryshe, në komunën e Vrapçishtit, raundi i parë i zgjedhjeve lokale dështoi për shkak të mosmarrjes së censusit të nevojshëm. Zgjedhjet pritet të zhvillohen pas 60 ditësh, dhe gjatë kësaj periudhe komunën pritet ta drejtojë një person i besuar i emëruar nga Kryeministri, gjë që pritet të ndodhë gjatë javës së ardhshme.
Përveç Vrapçishtit, në të njëjtën situatë ndodhen edhe Komuna e Gostivarit, Mavrovë-Rosushë dhe Qendër Zhupë, ku gjithashtu nuk është arritur pragu i nevojshëm i daljes në zgjedhje.
Në ditët në vijim pritet të shihet se si do të veprojë Qeveria dhe kush do të jenë personat që do të caktohen si ushtrues detyre në këto katër komuna.
Ka shumë gjasa që gjatë kësaj jave kryeministri Hristijan Mickoski të zhvillojë takim me partnerët qeveritarë për t’u marrë vesh për caktimin e të deleguarve të Qeverisë në 4 komunat ku nuk u zgjodh kryetar komune për shkak se nuk u arrit pragu prej të paktën 33,33% në raundin e parë. Nga Qeveria për TV21 thonë se për momentin ende nuk është përcaktuar kur do të zhvillohet ky takim, por nuk ka as informacione zyrtare se kush mund të ulet përkohësisht në karrigen e kryetarit të komunës në Gostivar, Vrapçisht, Mavrovë-Rostushë dhe Qendër Zhupë.
“Publikun do ta informojmë me kohë kur të caktohet takimi. KSHZ-ja duhet t’i shpallë zyrtarisht zgjedhjet të përfunduara, ekziston një procedurë e përcaktuar qartë në Kodin Zgjedhor”, deklaroi Marija Miteva, zëdhënëse e Qeverisë.
Ndërkohë, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve pritet që në mbledhjen që duhet të mbahet t’i shpallë zgjedhjet të përfunduara dhe më pas të dërgojë njoftim për këtë edhe në Kuvend dhe në Qeveri.
“Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, brenda 15 ditëve nga përfundimi i zgjedhjeve, e njofton Qeverinë. Pas marrjes së njoftimit, Qeveria brenda 15 ditëve emëron një të deleguar për kryerjen e punëve që janë në kompetencë të kryetarit të komunës. Qeveria, më së voni brenda 15 ditëve nga dita e emërimit të të deleguarit, e njofton kryetarin e Kuvendit për të shpallur zgjedhjet për kryetar komune”, thuhet në Kodin Zgjedhor – neni 134.
Zgjedhjet për kryetar komune në këto komuna ndodhen në një afat të ngushtë kohor, pasi mandati i KSHZ-së skadon më 15 janar. Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, në takimin e fundit me gazetarët tha se do të bëhet përpjekje që ato të përfundojnë me përbërjen aktuale, pasi siç theksoi, nuk është e drejtë që gjatë procesit zgjedhor të shpallet konkurs për përbërje të re të Komisionit Zgjedhor. Për këtë arsye, është e mundur që mandati i KSHZ-së të zgjatet aq sa të jetë e nevojshme për përfundimin e zgjedhjeve edhe në këto 4 komuna. Gazeta Flaka














