Serbia shpalli Manastirin “tokë serbe”, Mickoski heshti – por del kundër protestës në mbrojtje të çlirimtarëve të UÇK-së
Jo më larg se 8 shtatorit të këtij viti, zyrtarë të lartë serbë shpallën hapur se Maqedonia e Veriut është “tokë serbe”, madje duke përfshirë edhe qytete si Manastiri dhe Ohri si “qytete serbe”. Ceremonia u shoqërua me forca policore e ushtarake serbe, një veprim i paprecedentë në një shtet sovran dhe në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, shkruan Gazeta Flaka
Ajo që e bën skandalin edhe më të rëndë është fakti se e gjithë kjo ndodhi në prani të zëvendëskryeministrit Ivan Stoilkoviç, pjesë e Qeverisë së Hristijan Mickoskit. Kjo prezencë i dha ngjarjes vulë zyrtare miratimi nga ana e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.
Në këtë ceremoni:
- Flamuri serb u shpall “Flamur i bashkimit”,
- U glorifikua okupimi i Maqedonisë nga Serbia,
- Politikanë serbë festuan në zemër të Manastirit si të ishin në territor të tyre.
Në këtë provokim historik, politik dhe diplomatik, kryeministri Mickoski heshti. Asnjë deklaratë, asnjë reagim, asnjë mbrojtje e dinjitetit dhe sovranitetit të shtetit që ai udhëheq.
Por Mickoski flet – kur protestojnë shqiptarët
Ndryshe nga heshtja ndaj Serbisë, Mickoski reagoi menjëherë ndaj marshit paqësor të paralajmëruar nga Ali Ahmeti në mbrojtje të çlirimtarëve të Kosovës, që po përballen me gjykimin në Hagë.
Mickoski deklaroi se:
- “Nuk e mbështet marshin”
- “Ahmeti duhet ta rimendojë”
- “BDI po mundohet të mobilizohet para Kongresit”
- “Jam i bindur se as VLEN nuk do ta mbështesë”
Pra, për një veprim demokratik, të njëjtin lloj proteste që është mbajtur në Hagë, Bruksel, Tiranë e Prishtinë, Mickoski ka rezerva, këshillon, kërcënon dhe paragjykon.
Ndërsa për një provokim të rëndë serb, ai nuk ka guxim të thotë asnjë fjalë.
Ahmeti: Shkupi do të jetë skena e radhës ku qytetarët do të kërkojnë drejtësi për luftëtarët e UÇK-së
Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, në një postim në rrjetet sociale kumtoi që më 13 dhjetor Shkupi do të jetë skena e radhës ku qytetarët do të kërkojnë drejtësi për luftëtarët e UÇK-së. Ai paralajmëroi protestë në Sheshin “Skënderbeu”, duke theksuar se zëri i shqiptarëve nuk do të shuhet.
“Sheshi ‘Skënderbeu’ në Shkup do të jetë zëri i fuqishëm i qytetarëve që kërkojnë drejtësi për çlirimtarët tanë,” deklaroi Ahmeti.
Ai rikujtoi se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte e drejtë dhe e mbështetur nga demokracitë perëndimore, duke akuzuar Serbinë dhe Rusinë për montime politike që synojnë të dëmtojnë figurën e ish-pjesëtarëve të UÇK-së.
“Lufta e UÇK-së ishte dhe mbetet e drejtë, çlirimtare dhe e mbështetur nga bota demokratike. Drejtësia për luftëtarët e lirisë nuk mund të ndërtohet mbi akuza politike, montime dhe dëshmi të fabrikuara nga Serbia dhe Rusia,” u shpreh ai.
Ahmeti theksoi se qëndrimi i tij është i njëjtë në Prishtinë, Tiranë dhe tani në Shkup.
“Ashtu siç qëndruam përkrah luftëtarëve të UÇK-së në Prishtinë dhe Tiranë, ashtu do të qëndrojmë edhe në Shkup, krenarë, të vendosur dhe të palëkundur në mbrojtje të së vërtetës sonë,” theksoi ai, duke ftuar qytetarët të dalin masivisht në protestë.
Thirrja e tij është e qartë:
“Më 13 dhjetor, në orën 13:00, të gjithë në Shkup!
Liria nuk gjykohet, liria mbrohet!
Lavdi UÇK-së!”
MPB ende nuk kanë dhënë përgjigje për protestën në Shkup
Përfaqësuesi i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Gazmend Syla, tha se për kërkesat e domosdoshme për mbarëvajtjen e protestës së radhës e cila do të mbahet në Shkup më 13 dhjetor, autoritetet maqedonase nuk kanë dhënë ende asnjë përgjigje për një gjë të tillë.
“Fatkeqësisht deri më dje nuk kemi marrë përgjigje nga Shkupi zyrtar për shfrytëzimin e hapësirës publike, kërkesën që e kemi bërë. Po presim, po besojmë që deri në atë kohë kemi për të marrë përgjigje nga ta”, u shpreh ai në konferencën për media.
Për deklaratat e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, i cili tha se nuk e mbështet këtë protestë, Syla tha se OVL-UÇK nuk i ka bërë ftesë Mickoskit për të marrë pjesë në këtë protestë.
“Këto deklarata nuk tregojnë unitet, por më shumë përçarje, prandaj për neve kanë qenë të papranueshme. Asnjëherë nuk kemi qëllim të ndikojmë në politikat e tyre të brendshme atje”, tha ai. Gazeta Flaka














