Bekim Sali zë vendin e Zeqirja Ibrahimit në krye të Alternativës
Zeqirja Ibrahimi ka njoftuar mbrëmë se ka dhënë dorëheheqjen e tij të pakthyeshme nga pozita e kryetarit të partisë AlternAtivA. Vendimi u komunikua gjatë mbledhjes së Kuvendit Qendror, ku njëkohësisht u zgjodh edhe drejtuesi i ri i përkohshëm i partisë. Me mbështetje të plotë, si ushtrues detyre i kryetarit të Alternativës deri në kongresin e ardhshëm u emërua deputeti dhe zëvendëskryeministri i ardhshëm, Bekim Sali, të cilin Ibrahimi e quajti “mik tridekadësh”.
“Ishte synimi im që të tërhiqesha në fillim të vitit të ardhshëm, por dinamika e re politike kërkoi që vendimet e sotme për të ardhmen e Alternativës dhe të VLEN-it t’i marrë lidershipi i ri. Kjo është më e drejtë politikisht dhe moralisht”, deklaroi Ibrahimi.
Dorëheqja e tij pritet të hapë një fazë të re në organizimin e brendshëm të Alternativës. Kongresi i ardhshëm do të përcaktojë kryetarin e ri me mandat të plotë.

Në njoftimin e tij të gjatë publik, Ibrahimi theksoi se vendimi lidhet me bindjet e tij për nevojën e një lidershipi të ri brenda VLEN-it dhe Alternativës, duke nënvizuar se vendimi nuk ka të bëjë me pakënaqësi apo mosmarrëveshje të brendshme.
“Për të ardhmen e VLEN-it i duhet një projekt i ri politik, një vizion i ri, një kauzë e re dhe një lidership i ri… Unë gjykoj se nuk mund të ofroj më shumë seç kam ofruar deri tash nga ky pozicion, dhe prandaj dëshiroj të jem shtegu për energjinë e re që e kërkon ky proces”, shkroi ai.
Duke reflektuar mbi 11 vitet e angazhimit politik, ai tha se ndihet krenar për rolin e tij në “pensionimin e klasës politike enveriste”, ndërsa shprehu mirënjohje për bashkëpunëtorët, kolegët dhe familjen.
Ibrahimi falënderoi të gjithë ata që e kanë mbështetur, duke shtuar se nuk ushqen armiqësi me askënd:
“Ofenduesve dhe fyesve u them se ua kam falur krejt. Nga unë e kanë të falur të gjithë, pa përjashtim.”
Në fund të deklaratës së tij, ai la të hapur mundësinë për angazhim në prapaskenë në funksion të Alternativës dhe VLEN-it, si dhe premtoi se do të mbetet i përkushtuar ndaj edukimit politik të të rinjve.
Më 6 korrik 2024, në një kongres të jashtëzakonshëm të Alternativa (AAA) — parti me përfaqësim kryesisht në komunitetin shqiptar — Ibrahimi u zgjodh kryetar i Alternativës. Jo më shumë se një vit e gjysëm, Ibrahimi qëndroi në krye të subjektit politik, Alternativa. Gazeta Flaka














