16 Kryeheronj në zyrën e Ali Ahmetit, dhuratë e veçantë nga Elmedin Asani
Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim dhe ish-drejtues i UÇK-së, Ali Ahmeti, ka vlerësuar lart domethënien historike dhe emocionale të një pikture të veçantë të dorëzuar sot në selinë e kësaj partie në Tetovë, nga aktivisti nga Çegrani i Gostivarit, Elmedin Asani, e cila tashmë zë vend nderi në zyrën e tij dhe në selinë qendrore të BDI-së, shkruan Gazeta Flaka
Duke folur për veprën artistike, Ahmeti theksoi se ajo përmbledh rrugëtimin e brezave që i paraprinë dhe e realizuan luftën çlirimtare.
“Kjo pikturë përmbledh në vetvete rrugëtimin e brezave liridashës, duke ruajtur kujtesën për ata që i paraprinë luftës çlirimtare dhe duke pasqyruar guximin, sakrificën dhe idealin e tyre për liri,” u shpreh Ahmeti.
Vepra është një dhuratë e çmuar nga aktivisti Elmedin Asani, të cilën Ahmeti e cilësoi si tepër domethënëse në nivel personal dhe kombëtar.
“Si dhuratë e çmuar nga miku im Elmedin Asani, kjo vepër ka një domethënie të veçantë për mua dhe zë vend nderi në zyrën time dhe në selinë e Bashkimit Demokratik për Integrim,” tha ai.
Në pikturë janë paraqitur 16 kryeheronj të luftës, të cilët Ahmeti i quajti vëllezër dhe bashkëluftëtarë.
“Heronjtë e paraqitur në këtë pikturë janë vëllezërit dhe bashkëluftëtarët e mi, me të cilët ndamë ëndrrën për liri, barrën e një detyre të shenjtë dhe besimin e palëkundur se vendi ynë do të ngrihej i lirë dhe dinjitoz për brezat që vijnë,” theksoi Ahmeti.
Sipas tij, këta luftëtarë përbëjnë bërthamën e rezistencës dhe të çlirimit të Kosovës.
“Ata janë nga Drenica, Llapi dhe Dukagjini, një brez i pathyeshëm që i dha vendit lirinë,” u shpreh lideri i BDI-së.
Ali Ahmeti nënvizoi se kjo vepër do të mbetet një dëshmi e përhershme e rrugës drejt lirisë.
“Kjo vepër do të mbetet përherë dëshmi se liria nuk ishte rastësi, por fryt i bashkimit, vendosmërisë dhe sakrificës,” përfundoi ai. Gazeta Flaka

















