Japoni: Anulohet festivali i lulëzimit të qershisë pranë malit Fuji
Autoritetet japoneze kanë vendosur të anulojnë Festivalin tradicional të Lulëzimit të Qershisë, i cili ishte planifikuar të mbahej pranë malit Fuji, për shkak të sjelljes gjithnjë e më problematike të turistëve, kanë njoftuar zyrtarët lokalë.
Sipas autoriteteve, Festivali i Lulëzimit të Qershisë në Parkun Arakuryama Sengen, në qytetin Fujiyoshida, është anuluar këtë vit për shkak të shkeljeve të vazhdueshme nga vizitorët, përfshirë hyrje të paautorizuara në prona private, hedhje mbeturinash dhe kryerje të nevojave personale në oborre private.
“Pas pamjes madhështore të malit Fuji fshihet realiteti se jeta e qetë e qytetarëve tanë është vënë në rrezik. Ndjejmë një krizë reale,” deklaroi kryetari i bashkisë së Fujiyoshida-s, Shigeru Horiuchi. “Për të mbrojtur dinjitetin, mjedisin jetësor dhe sigurinë e banorëve tanë, kemi vendosur të ulim perden e këtij festivali dhjetëvjeçar.”
Zyrtarët raportojnë se turistët shpesh hapnin dyert e shtëpive private për të përdorur tualetet, hynin pa leje në oborre, hidhnin mbeturina dhe krijonin rrëmujë kur banorët përpiqeshin t’i ndalonin.
Qyteti i Fujiyoshida-s pret mbi 10 mijë vizitorë në ditë gjatë sezonit të lulëzimit të qershisë, i nxitur nga kursi i favorshëm i jenit dhe nga popullariteti i madh që zona ka fituar përmes rrjeteve sociale. Festivali, i cili zgjaste disa javë, tërhiqte rreth 200 mijë turistë çdo vit, sipas autoriteteve lokale.
Vendimi për anulimin e festivalit ka hapur debat në Japoni mbi mbiturizmin, respektimin e komuniteteve lokale dhe ndikimin e rrjeteve sociale në destinacionet turistike.
Flaka

















