Kadri Roshi,18 vjet nga ndarja nga jeta e kolosit të teatrit dhe filmit shqiptar
Më 6 shkurt 2007 u nda nga jeta një nga figurat më të shquara të kinematografisë dhe teatrit shqiptar, aktori i madh Kadri Roshi, duke lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme artistike që vazhdon të jetojë në kujtesën kolektive të publikut shqiptar.
Kadri Roshi lindi më 4 janar 1924 në Ballsh të Mallakastrës, në një familje me origjinë nga Libohova. Fëmijëria e tij ishte e vështirë dhe e mbushur me humbje të hershme, pasi mbeti pa nënë në moshën dyvjeçare dhe jetim dhjetë vjet më vonë, pas vdekjes së të atit.
Hapat e parë në skenë i hodhi në moshën 21-vjeçare në Teatrin Popullor, ndërsa në vitin 1951 përfundoi studimet universitare në Pragë. Pas rikthimit në Shqipëri, Roshi u bë pjesë e pandashme e Teatrit Kombëtar, ku ndërtoi një karrierë të gjatë dhe të pasur artistike.
Gjatë jetës së tij profesionale, Kadri Roshi interpretoi rreth 180 role në teatër dhe kinematografi, duke u shndërruar në një nga aktorët më produktivë dhe më të dashur për publikun. Në film, ai la gjurmë të pashlyeshme me role ikonike, që variojnë nga Ezopi, tek kujdestari në filmin “Lulëkuqe mbi mure”, mbrojtësi i gjuhës shqipe gjatë Rilindjes Kombëtare, e deri tek plaku Mere.
Ndër filmat më të njohur ku ai ka interpretuar role kryesore përfshihen: Vdekja e burrit, Apasionata, Partizani i vogël Velo, Ballë për ballë, Gjeneral gramafoni, Njeriu me top, Fije që priten, Përballimi, Malet me blerim mbuluar dhe I teti në bronz.
Për kontributin e jashtëzakonshëm në artin shqiptar, Kadri Roshi u nderua me Çmimin e Karrierës në Festivalin e Filmit Artistik më 1995, Çmimin e Madh të Nderit në vitin 1997, si dhe me titullin më të lartë shtetëror “Nderi i Kombit” në vitin 1999.
Trashëgimia e tij artistike mbetet një pasuri e çmuar e kulturës kombëtare shqiptare.
Flaka

















