Sllovenia drejt ndalimit të rrjeteve sociale për fëmijët nën 15 vjeç
Sllovenia po përgatit një projektligj që synon të ndalojë përdorimin e rrjeteve sociale për fëmijët dhe adoleshentët nën moshën 15 vjeç, si pjesë e përpjekjeve për mbrojtjen e të miturve nga ndikimet negative të botës digjitale.
Lajmi u konfirmua nga zëvendëskryeministri i vendit, Matej Arkon, i cili bëri të ditur se iniciativa është ndërmarrë nga Ministria e Arsimit, në bashkëpunim me ekspertë të fushës së arsimit dhe teknologjisë digjitale, duke u mbështetur edhe në përvojën e vendeve të tjera evropiane.
“Ka qenë një çështje shumë e diskutuar në mbarë botën dhe në Evropë muajt e fundit. Me këtë projektligj, ne si qeveri po tregojmë se kujdesemi për fëmijët tanë,” deklaroi Arkon pas mbledhjes së kabinetit qeveritar.
Sipas paralajmërimeve, projektligji do të përfshijë rregulla të reja për platformat kryesore të mediave sociale, si TikTok, Snapchat dhe Instagram, me synimin për të kufizuar qasjen e të miturve dhe për të mbrojtur shëndetin e tyre mendor. Autoritetet theksojnë se përdorimi i tepërt i rrjeteve sociale lidhet me rreziqe si varësia digjitale, ankthi, depresioni dhe ekspozimi ndaj përmbajtjeve të papërshtatshme.
Sllovenia, me rreth 2 milionë banorë, po ndjek shembullin e Spanjës, e cila ka propozuar ndalimin e rrjeteve sociale për adoleshentët nën 16 vjeç. Masa të ngjashme janë duke u shqyrtuar edhe në Britaninë e Madhe dhe Francë, ndërsa Australia u bë vendi i parë në botë që ndaloi aksesin në rrjetet sociale për fëmijët nën 16 vjeç, në dhjetor të vitit të kaluar.
Projektligji pritet të hapë debate të gjera publike për balancën mes mbrojtjes së fëmijëve dhe lirisë digjitale.
Flaka

















