“Liria ka Emër” viziton Maqedoninë e Veriut dhe merr mbështetjen e Ali Ahmetit për marshin e 17 shkurtit
Përfaqësuesit e platformës qytetare “Liria ka Emër”, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, zhvilluan sot një vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, në kuadër të takimeve me veprimtarë dhe liderë shqiptarë në rajon.
Takimi i parë u zhvillua me Ali Ahmetin, kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim, ku përfaqësuesit e platformës e njoftuan atë me misionin e “Liria ka Emër”, aktivitetet e deritanishme dhe mobilizimin për Marshin “Drejtësi, jo politikë”, që do të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë për të mbrojtur çlirimtarët e Kosovës që po mbahen padrejtësisht në Hagë.
Ahmeti theksoi rëndësinë historike dhe kombëtare të kauzës, duke nënvizuar se drejtësia për çlirimtarët është pjesë e dinjitetit kolektiv të shqiptarëve.
“Lufta çlirimtare e popullit tonë ishte e drejtë, e domosdoshme dhe historikisht e pastër. Ata që udhëhoqën dhe mbrojtën këtë luftë nuk mund të mbahen peng i padrejtësive politike. Vendi i tyre është pranë familjeve dhe popullit të vet, dhe ata duhet të kthehen sa më parë”, deklaroi Ahmeti.
Përfaqësuesja e platformës, Eliza Hoxha, njoftoi se mobilizimi për marshin po rritet çdo ditë dhe se ky event do të jetë shprehje e një zëri qytetar të fuqishëm:
“Ky marsh nuk është kundër askujt, por për mbrojtjen e drejtësisë. Po ndërtojmë një mobilizim të madh qytetar, brenda dhe jashtë Kosovës, sepse kjo kauzë i tejkalon partitë dhe kufijtë.”
Ndërsa Ismail Tasholli vuri në dukje dimensionin gjithëkombëtar të thirrjes:
“Drejtësia për çlirimtarët është çështje kombëtare. Mbështetja nga veprimtarë dhe liderë shqiptarë në rajon forcon mesazhin se kjo kauzë është e përbashkët dhe se zëri qytetar duhet të dëgjohet qartë në këtë fazë të procesit në Hagë.”
Platforma “Liria ka Emër” njoftoi se do të vazhdojë vizitat dhe takimet me përfaqësues politikë dhe komunitete shqiptare në rajon dhe diasporë, duke bërë thirrje për mobilizim gjithëkombëtar për pjesëmarrje masive në Marshin “Drejtësi, jo politikë”, më 17 shkurt në Prishtinë. Gazeta Flaka

















