Prokuroria kundër krimit të organizuar nis hetim ndaj tre personave në Shkup
Prokuroria kundër krimit të organizuar ka njoftuar se ka nisur një hetim ndaj tre personave nga Shkupi, të dyshuar për “zhvillim të organizatës kriminale” dhe “prodhim, mbajtje dhe tregtim të paautorizuar të armëve dhe materialeve shpërthyese”.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, hetimet e deritanishme tregojnë se të dyshuarit janë organizuar për hakmarrje ndaj të afërmve të tyre, të cilët më parë janë dënuar për pjesëmarrje në organizatë terroriste. Ata veprojnë si grup me ideologji radikale islamiste dhe dyshohet se kanë mbledhur fonde brenda dhe jashtë vendit për propagandë dhe blerje armësh.
“Hetimet kanë konstatuar aktivitet të strukturuar të grupit, përfshirë mbledhjen e fondeve për qëllime terroriste dhe blerjen e armëve,” thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Sipas vendimit të gjykatës, janë kryer kontrolle në shtëpi dhe hapësira të ndryshme në Shkup, ku janë sekuestruar armë, pajisje elektronike dhe prova të tjera materiale.
Të tre të dyshuarve u është caktuar arrest 30-ditor, në pritje të hetimeve të mëtejshme.
“Ky hetim është pjesë e angazhimit tonë të vazhdueshëm për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe aktiviteteve me ideologji ekstremiste,” deklaroi Prokuroria kundër krimit të organizuar. Gazeta Flaka

















