Donald Trump nuk e ka harruar Grenlandën: Kryeministrja daneze konfirmon interesin amerikan
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, vazhdon të shfaqë interes për blerjen e Grenlandës, rajon autonom i Danimarkës. Këtë e bëri të ditur kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, gjatë një debati publik në Konferencën e Sigurisë në Mynih.
“Fatkeqësisht, mendoj se dëshira e tij mbetet e njëjtë”, tha Frederiksen, duke theksuar se çështja nuk konsiderohet e mbyllur nga Kopenhaga zyrtare. “Të gjithë na pyesin nëse mendojmë se ka mbaruar. Jo, nuk mendojmë se ka mbaruar kjo krizë”, deklaroi ajo, duke iu referuar tensioneve në Arktik.
Edhe kryeministri i Grenlandës, Jens Frederik Nielsen, reagoi duke theksuar se çdo formë presioni amerikan ndaj popullsisë së ishullit është “e papranueshme”. Megjithatë, ai shtoi se janë ndërmarrë “disa hapa” që shkojnë “në drejtimin e duhur”.
Grenlanda, territori më i madh ishullor në botë, ka rëndësi strategjike për shkak të pozicionit gjeografik dhe burimeve natyrore, duke e bërë atë një pikë kyçe në dinamikat globale të sigurisë.
Flaka


















