Gjendje e rënduar nga reshjet në rajonin e Gostivarit, ekipet në terren
Përmbytje janë raportuar edhe në Gostivar dhe fshatrat përreth, ku janë prekur disa shtëpi në Belovishtë, si dhe lagjet Ciglanë dhe Banjëçnicë. Në fshatin Balindol është raportuar bllokim i kanalit dhe përmbytje të banesave.
Në një nga shtëpitë e përmbytura në Belovishtë, dy fëmijë dhe nëna e tyre kanë mbetur të bllokuar, ndërsa shërbimet emergjente kanë reaguar menjëherë.
“Përfaqësues të vetëqeverisjes lokale dhe Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim janë në terren dhe po e monitorojnë situatën,” thuhet në njoftim.
Autoritetet apeluan për kujdes të shtuar, pasi reshjet vazhdojnë dhe gjendja po ndiqet nga afër.
Komuna e Gostivar ka dhënë një sqarim për Flaka lidhur me situatën e krijuar pas reshjeve të dendura të shiut gjatë dy ditëve të fundit, të cilat kanë shkaktuar përmbytje të lokalizuara në disa vendbanime të komunës.
Sipas përfaqësuesve të Pushtit Vendor në Gostivar, situata është krijuar kryesisht si pasojë e daljes jashtë shtratit të kanaleve (jazeve) që janë nën administrimin e Drejtorisë për Ekonomi të Ujërave dhe nuk janë në kompetencë të komunës.
“Situata është shkaktuar kryesisht nga dalja jashtë shtratit e kanaleve (jazeve) nën administrimin e Drejtorisë për Ekonomi të Ujërave, të cilat nuk janë në kompetencë të Komunës së Gostivarit,” thuhet në reagim.
Megjithatë, nga komuna bëhet e ditur se ekipet komunale kanë dalë në terren që në orët e para të mëngjesit dhe po ndërmarrin masa konkrete për t’u dalë në ndihmë qytetarëve dhe për të minimizuar dëmet.
“Ekipet e Komunës së Gostivarit ndodhen në terren dhe po ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për t’u dalë në ndihmë qytetarëve.”
Komuna thekson se mbetet në komunikim të vazhdueshëm me institucionet përkatëse dhe se opinioni do të informohet për çdo zhvillim të mëtejshëm lidhur me gjendjen në terren.
“Komuna mbetet në komunikim të vazhdueshëm me institucionet përkatëse dhe do të informojë opinionin për çdo zhvillim të mëtejshëm.” Gazeta Flaka


















