Kronika e të dielës: Aksione policore, arrestime për drogë dhe aksidente me të lënduar
Ministria e Punëve të Brendshme ka publikuar raportin ditor me një sërë rastesh të evidentuara gjatë 14 dhe 15 shkurtit në disa qytete të vendit, që përfshijnë arrestime për drogë, aksidente trafiku, kallëzime penale dhe raste dhune.
Arrestime për drogë në Shkup dhe kallëzime në Gostivar, Tetovë e Strugë
Në Shkup, policia ka privuar nga liria tre persona pasi tek ata janë gjetur substancë pluhurore e bardhë dhe marihuanë.
“Në lokacione të ndryshme, nëpunës policorë nga SPB Shkup i privuan nga liria tre persona, pasi tek ata u gjetën dhe u sekuestruan substancë pluhurore e bardhë dhe marihuanë,” njofton MPB.
Ndërkohë, Zyra e Jashtme për Çështje Kriminalistike në Gostivar ka ngritur kallëzim penal kundër dy personave, të dyshuar për shitje të kokainës në periudhën dhjetor 2024 – janar 2026, ndërsa gjatë bastisjes në një objekt hotelierik janë sekuestruar kokainë dhe një pistoletë me gaz.
Kallëzime për vepra të ngjashme janë ngritur edhe në rajonin e Tetovë dhe Strugë.
Aksidente trafiku me çiklistë të lënduar rëndë
Dy aksidente të ndara janë regjistruar në Shkup dhe Gostivar, ku çiklistët kanë pësuar lëndime të rënda trupore.
“Në aksidentin në bul. ‘Kërste Misirkov’ në Shkup, çiklisti ka pësuar lëndime të rënda trupore,” thuhet në raportin policor.
Një rast i ngjashëm është regjistruar edhe në kryqëzimin e bul. “Goce Dellçev” në Gostivar.
Arrestim në pikën kufitare Bllacë
Në Pikën Kufitare Bllacë e Poshtme është arrestuar një shtetas i Kosovës, i cili gjatë kontrollit kufitar ka paraqitur dokument udhëtimi të një personi tjetër që kërkohej nga Interpoli.
“Personi është ndaluar në stacion policor dhe pas dokumentimit të rastit do të parashtrohet kallëzim përkatës,” njofton MPB.
Kontrole në lokale – të mitur të gjetur pas orarit
Në Veles dhe Gostivar janë realizuar kontrolle në objekte hotelierike për praninë e të miturve pas orës 24:00.
Policia njofton se disa të mitur janë gjetur duke konsumuar alkool ose duke qëndruar në lokale jashtë orarit të lejuar, ndërsa janë dorëzuar tek prindërit e tyre.
Raste dhune dhe incidente të tjera
Në raport përfshihen edhe raste të dhunës fizike dhe kërcënimeve në Shkup, Strugë dhe Shtip, për të cilat policia po ndërmerr masa për zbardhjen e plotë të rrethanave.
Një zjarr në një shtëpi në rajonin e Petrovec është fikur nga zjarrfikësit, pa persona të lënduar.
“Po ndërmerren masa për zbardhjen e rasteve dhe pas dokumentimit të plotë do të parashtrohen kallëzimet përkatëse,” thuhet në njoftimin e MPB-së. Gazeta Flaka


















