Ushqimet që ju ndihmojnë të hiqni dorë nga nikotina
Varësia nga nikotina është një nga sfidat më të mëdha për duhanpirësit që duan të lënë cigaren. Megjithatë, përveç vullnetit të fortë dhe mbështetjes profesionale, edhe ushqimi mund të luajë një rol të rëndësishëm në procesin e detoksifikimit të trupit.
Ekspertët sugjerojnë se disa produkte natyrale mund të ndihmojnë në uljen e dëshirës për nikotinë dhe në pastrimin e organizmit nga toksinat.
Hithra – detoks natyral
Hithra është e pasur me hekur dhe vepron si një detoksifikues i fuqishëm. Ajo ndihmon në forcimin e organizmit dhe në luftimin e infeksioneve, duke mbështetur trupin gjatë periudhës së lënies së duhanit.
Perimet që ulin varësinë
Selinoja, kungulleshka, patëllxhani, fasulet dhe kastravecat mund të ndihmojnë në zvogëlimin e dëshirës për nikotinë. Nga ana tjetër, rekomandohet të shmangen perimet shumë të ëmbla dhe ushqimet me përmbajtje të lartë sheqeri, pasi glukoza mund të aktivizojë zonat e trurit që lidhen me ndjenjën e kënaqësisë dhe të shtojë dëshirat.
Frutat që përshpejtojnë pastrimin e trupit
Portokajt janë të pasura me vitaminë C, e cila ndihmon në përshpejtimin e metabolizmit dhe reduktimin e stresit. Edhe kivi është i dobishëm, pasi ndihmon në eliminimin e nikotinës dhe rikthen nivelet e vitaminave A, C dhe E që bien si pasojë e pirjes së duhanit.
Lëngu i karrotës dhe brokoli për mbrojtjen e trupit
Lëngu i karrotës përmban vitamina A, B, C dhe K, të cilat ndihmojnë në pastrimin e organizmit dhe përmirësimin e gjendjes së lëkurës së dëmtuar nga nikotina.
Brokoli është i pasur me vitamina B5 dhe C dhe përmban substanca që ndihmojnë në mbrojtjen e mushkërive nga dëmtimet e shkaktuara nga toksinat.
Spinaqi – mbështetje shtesë
Spinaqi, falë përmbajtjes së lartë të vitaminave dhe acidit folik, ndihmon në rikuperimin e organizmit dhe mbështet procesin e lënies së duhanit.
Ekspertët theksojnë se një dietë e shëndetshme, e kombinuar me aktivitet fizik dhe mbështetje mjekësore, rrit ndjeshëm shanset për të hequr dorë përfundimisht nga nikotina.
Flaka


















