Shi, borë dhe mjegull – çfarë duhet të dini për motin dhe rrugët sot?
Sot në Maqedonia e Veriut pritet mot pjesërisht me vranësira dhe periudha me diell, ndërsa drejt mbrëmjes dhe gjatë natës reshjet lokale të shiut do të shfaqen në disa zona. Në rajonet malore dhe vendet më të larta, sidomos në pjesët perëndimore dhe veriore, reshjet do të jenë kryesisht në formë bore.
Temperaturat minimale do të lëvizin nga 1 deri në 5 gradë Celsius, ndërsa maksimalet nga 8 deri në 14 gradë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga veriperëndimi, me përforcime të herëpashershme në zonat perëndimore.
Në Shkup moti do të jetë pjesërisht me vranësira dhe intervale me diell, ndërsa në fund të ditës parashikohen reshje të përkohshme shiu. Temperatura minimale do të zbresë në 3 gradë, kurse maksimalja do të arrijë rreth 11 gradë.
Gjendja në rrugë
Sipas njoftimeve, qarkullimi në rrugët shtetërore zhvillohet pa pengesa, por rrugët janë kryesisht të lagështa. Borë e lehtë po bie në qafën malore të Strazhës pa bllokuar lëvizjen, ndërsa mjegulla ka ulur dukshmërinë deri në 50 metra në Pletvar dhe Presekë.
Kujdes i shtuar rekomandohet në segmentet:
- Katllanovë – Veles
- Mavrovë – Dibër – Strugë
- Vinicë – Berovë
- Koçan – Dellçevë
Këto akse rrugore kalojnë nëpër lugina dhe gryka ku ekziston mundësia e rrëshqitjeve të dheut.
Pajisjet dimërore – detyrim ligjor
Kujtojmë se nga 15 nëntori 2025 ka hyrë në fuqi obligimi për posedimin e pajisjeve dimërore në automjete, i cili do të vlejë deri më 15 mars 2026, pavarësisht kushteve momentale të motit.
Në kufij dhe qarkullim
Intensiteti i qarkullimit jashtë zonave urbane është mesatar, ndërsa në pikat kufitare nuk raportohen pritje të gjata për hyrje apo dalje nga shteti.
Mesazhi i ditës: edhe pse moti nuk duket ekstrem, rrugët e lagështa, mjegulla dhe reshjet në zona malore kërkojnë kujdes të shtuar dhe respektim të sinjalistikës rrugore. Gazeta Flaka


















