“Tendera si ëmbëlsira” – LSDM akuzon qeverinë për miliona euro kontrata me kompani të afërta
LSDM ka dalë me akuza të ashpra ndaj qeverisë së drejtuar nga Hristijan Mickoski, duke pretenduar se ndërsa qytetarëve u mohohet rritja e pagës minimale dhe fermerëve u shkurtohen subvencionet, fondet publike po orientohen drejt shpenzimeve luksoze dhe tenderëve të dyshimtë.
Në kumtesën për media, partia opozitare thekson se kompani të afërta me qeverinë po fitojnë një numër të madh tenderësh me vlera milionëshe në një periudhë të shkurtër. Sipas tyre, kompania “Lendi Group” DOOEL Shkup ka fituar 74 tendera me vlerë prej 17.6 milionë euro në vetëm dy vjet, me një rritje të ndjeshme të kontratave gjatë viteve 2024 dhe 2025.
LSDM pretendon se shumica e kontratave janë lidhur me komuna të udhëhequra nga VMRO-DPMNE dhe se vlera e kontratave përputhet pothuajse plotësisht me vlerën e parashikuar të tenderëve, gjë që sipas tyre ngre dyshime serioze për manipulim në prokurimet publike.
Në deklaratë përmenden edhe raste të tjera, ku, sipas opozitës, kompani të lidhura me figura të afërta me pushtetin kanë fituar dhjetëra tenderë përmes komunave.
Gjithashtu, LSDM kritikon institucionet si Prokuroria, Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit dhe Policia Financiare, duke i akuzuar për heshtje ndaj këtyre pretendimeve.
Partia njofton se ekipi i saj antikorrupsion do të vazhdojë të publikojë, siç i quan, skema të tenderëve kriminalë, ndërsa paralajmëron përgjegjësi për rastet e ngritura. Gazeta Flaka


















