22-vjeçarja nga Gostivari denoncon partnerin: Tre vite dhunë dhe kërcënime
Një rast i dyshuar i dhunës në familje është raportuar në Gostivar, ku një 22-vjeçare ka denoncuar partnerin e saj për keqtrajtim fizik dhe psikologjik që, sipas saj, ka zgjatur prej vitesh.
Sipas njoftimit të policisë, më 25 qershor 2026, rreth orës 15:20, e reja është paraqitur në DPB Gostivar, duke deklaruar se partneri i saj me inicialet B.I., gjithashtu nga Gostivari, i ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike për një periudhë të gjatë.
Ajo ka raportuar se rreth tre vite më parë ai i kishte shkaktuar lëndime të rënda trupore, ndërsa më 18 qershor 2026 dyshohet se e ka sulmuar sërish fizikisht dhe e ka kërcënuar atë, si dhe një mik të saj.
Pas denoncimit dhe me urdhër të gjykatës, policia ka kryer bastisje në banesën e të dyshuarit. Gjatë kontrollit është gjetur një pushkë gjuetie, e cila, sipas autoriteteve, i përkiste babait të ndjerë të të dyshuarit dhe ishte poseduar me leje.
Autoritetet kanë bërë të ditur se po ndërmerren veprimet e nevojshme për zbardhjen e plotë të rastit dhe dokumentimin e të gjitha rrethanave.
Flaka










