24-vjeçari nga Kosova arrestohet pas arratisjes nga Bllaca, dyshohet se hodhi armë gjatë ikjes
Një shtetas 24-vjeçar nga Kosova është arrestuar pasi u largua nga kontrolli doganor në pikën kufitare Bllacë me automjetin e tij dhe më pas u ndal nga policia pas një ndjekjeje në drejtim të Shkupit.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, i dyshuari me inicialet R.E. (24), duke drejtuar një automjet BMW me targa të Kosovës, gjatë kontrollit doganor e ndezi veturën papritur dhe u largua nga pika kufitare. Gjatë ikjes, ai shtyu dhe tërhoqi për disa metra një zyrtar doganor, përpara se të arratisej në drejtim të kryeqytetit.
Pas masave të ndërmarra nga Njësia e Policisë Intervenuese, automjeti u lokalizua dhe u ndal në rrugën “Magjistralja e Adriatikut” në Shkup, ku i dyshuari u privua nga liria.
Gjatë kontrollit në terren, policia gjeti një qese me marihuanë, ndërsa në automjet u sekuestrua edhe një thikë xhepi. Sipas MPB-së, i arrestuari ka deklaruar se gjatë arratisjes kishte hedhur një qese në të cilën ndodheshin dy pistoleta.
I dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ndërsa autoritetet bëjnë të ditur se, pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tij do të ngrihet kallëzimi përkatës.
Flaka
















