5 pacientët e dërguar në Turqi, nga sot marrin frymë vetë
Minsitri i Shëndetësisë, Arben Taravari ka dhënë informacione në lidhje me gjendjen shëndetësore të pacientëve që po trajtohen në spitalet e vendit por edhe ata të cilët u dërguan për trajtim jashtë vendi, të cilët u lënduan nga zjarri në Koçan, përcjell TV21.
Siç tha ministri, mbi 70 pacientë janë duke u trajtuar në klinikat në vend dhe po marrin kujdesin e duhur mjekësor, ndërsa për pacientët që u dërguan për trajtim jashtë vendit, Taravari tha se shumica janë në kujdesin intensiv, për dallim nga ata që u dërguan në Turqi, tha se nga sot mund të marrin frymë vetë. Taravari njoftoi se, gjatë natës edhe disa pacientë të tjerë do të dërgohen për trajtim jashtë vendit.
“Vazhdon trajtimi i pacientëve brenda vendit dhe jashtë Ministria e Shëndetësisë informon publikun se ekipet mjekësore të institucioneve shëndetësore janë plotësisht të angazhuara edhe sot për të ofruar kujdesin e duhur mjekësor për të gjithë pacientët.
Aktualisht, numri i pacientëve të hospitalizuar në klinikat dhe spitalet e vendit është si më poshtë:
• Klinika e Kirurgjisë Plastike – 10 pacientë
• Klinika e Toksikologjisë – 10 pacientë
• Klinika e Kirurgjisë Torakale – 4 pacientë
• Traumatologjia – 2 pacientë
• Kirurgjia Pediatrike – 4 pacientë
• KARIL – 13 pacientë
• Klinika e Pulmologjisë – 2 pacientë
• Spitali i Përgjithshëm në Shtip – 2 pacientë
• Spitali “8 Shtatori” – 17 pacientë
• Klinika e Kirurgjisë “Shën Naum Ohri” – 11 pacientë
Sipas informacioneve nga qendrat mjekësore në Austri, nga gjashtë pacientët e trajtuar, pesë janë në terapi intensive në gjendje stabile, ndërsa një është transferuar në repartin e mjekësisë së brendshme.
Në Lituani, katër pacientë janë në terapi intensive dhe janë në gjendje stabile.
Pesë pacientët e lënduar nga zjarri në Koçan, të cilët u dërguan për trajtim në Ankara, Turqi, nga sot mund të marrin frymë vetë.
Në Serbi po trajtohen 30 pacientë, të cilët janë në terapi intensive dhe janë në gjendje stabile.
Në institucionet shëndetësore në Bullgari janë duke u trajtuar 15 pacientë, nga të cilët shtatë janë në kujdes intensiv, ndërsa të tjerët kanë djegie më të lehta dhe mund të marrin frymë vetë.
Në Greqi po trajtohen tetë pacientë, të cilët janë në gjendje stabile dhe me përmirësim nga dita e mëparshme.
Gjatë natës pritet që disa pacientë të dërgohen në qendra mjekësore evropiane, për çka Ministria e Shëndetësisë shpreh mirënjohje për mbështetjen e ofruar që nga momenti i parë nga partnerët tanë ndërkombëtarë”, ka njoftuar Taravari.