Arrestohen tre persona për sulmin pranë varrezave në Butel
Policia ka arrestuar tre persona të dyshuar për sulmin e ndodhur një ditë më parë pranë Varrezave të Butelit, ku mbetën të plagosur dy punonjës të SH.A. Butel.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, bëhet fjalë për një 48-vjeçar dhe dy djemtë e tij, të moshave 26 dhe 27 vjeç, të gjithë nga Shkupi.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:40, kur të dyshuarit kanë sulmuar dy të punësuar, duke përdorur pistoletë me gaz dhe mjete të mprehta, përfshirë thikë dhe grusht metalik. Si pasojë, viktimat kanë pësuar lëndime trupore dhe janë trajtuar në Spitalin Shën Naumi i Ohrit.
Sipas denoncimit, punonjësit i kishin vërejtur të dyshuarit pranë një varri dhe, duke i njohur si persona të përfshirë më parë në vjedhje, i kishin paralajmëruar se do të njoftonin policinë. Pas kësaj, situata ka eskaluar në dhunë fizike.
Tre personat janë ndaluar në stacion policor dhe, pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tyre pritet të ngrihen kallëzime penale përkatëse.
Flaka
















