Arrestohet 19-vjeçari nga Bojana, dyshohet për vrasjen e një 18-vjeçari në afërsi të Sarajit
Policia e Shkupit ka arrestuar një 19-vjeçar nga fshati Bojanë, i dyshuar për veprën penale “vrasje”, pasi dyshohet se ka vrarë me armë zjarri një 18-vjeçar në një zonë pyjore pranë Sarajit.
Sipas njoftimit të SPB Shkup, personi me iniciale M.B. (19) është arrestuar më 17 maj 2026, rreth orës 00:50, në fshatin Bojanë të Shkupit. Arrestimi ka ardhur pasi babai i tij, I.B., ka telefonuar në numrin emergjent 192 dhe ka raportuar se djali i tij i kishte pranuar se më 15 maj kishte kryer vrasjen e B.D. (18), po ashtu nga Bojana.
Pas marrjes së informacionit, zyrtarët policorë kanë ndërmarrë masa të menjëhershme dhe kanë arritur të lokalizojnë të dyshuarin. Gjatë hetimeve janë gjetur edhe trupi i viktimës, si dhe arma me të cilën dyshohet se është kryer krimi.
Nga Policia bëjnë të ditur se pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj të dyshuarit do të parashtrohet kallëzim penal përkatës për veprën penale “vrasje”.
Rasti ka tronditur banorët e zonës, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të motivit dhe rrethanave të ngjarjes vazhdojnë.
Flaka










