Gjendet i vdekur banori nga Forina, trupi u gjet në një kanal me ujë | VIDEO
Mëngjesin e sotëm është gjetur i vdekur banori 60 vjeç nga Forina, i cili mbrëmë ishte shpallur i humbur, ndërsa banorët dhe institucionet ishin mobilizuar në kërkim të tij, raporton Gazeta Flaka
Kërkimet kanë vijuar gjatë gjithë natës, ndërsa trupi i pajetë është gjetur në një kanal me ujë në fshat, në zonën ku kompania Bechtel-Enka ka zhvilluar punime për ndërtimin e Korridorit VIII.
Për momentin ende nuk ka indikacione zyrtare se si ka ardhur deri te vdekja e banorit nga Forina.
MPB njofton se më 21.05.2026 në ora 21:35 në DPB Gostivar, I.M. nga Gostivari ka denoncuar se nga shtëpia është larguar axha i tij A.I. (63) nga fshati Forinë, i cili punonte si bari në një stan në rrethinën e fshatit Vrapçisht.
Pas ndërmarrjes së masave dhe kërkimit në terren, I.M. së bashku me zyrtarë policorë nga DPB Gostivar dhe një ekip të Njësisë Territoriale Kundër Zjarrit Gostivar, në rrethinën e fshatit Vrapçisht, në afërsi të një rruge që po ndërtohej nga kompani private, më 22.05.2026 rreth orës 06:00, A.I. është gjetur i vdekur. Mjeku ka konstatuar vdekjen, ndërsa këqyrjen e vendit të ngjarjes e kanë kryer prokurori publik dhe ekipi i këqyrjes nga DPB Gostivar.
Trupi i pajetë është dërguar për obduksion, ndërsa hetimet për zbardhjen e rrethanave të kësaj vdekjeje misterioze vazhdojnë. Gazeta Flaka
















