Tragjedi në Austri: Gjendet i pajetë 23-vjeçari nga Saraqina e Tetovës, ishte zhdukur prej ditësh
Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin shqiptar në Austri dhe Tetovë, pasi një 23-vjeçar nga fshati Saraqinë i Tetovës është gjetur i pajetë në liqenin Faker në Austri, pas disa ditësh kërkimesh intensive.
I riu, me origjinë shqiptare dhe banues në Faak am See, ishte raportuar i zhdukur që nga e hëna, ndërsa familjarët e kishin paraqitur rastin në polici pasi humbën kontaktet me të. Sipas mediave austriake, ai ishte pronar i një kafeneje në zonën ku jetonte dhe punonte.
Autoritetet austriake konfirmuan se trupi i tij u gjet mbrëmjen e së enjtes në fund të liqenit Faker, pas një operacioni të gjerë kërkimi që përfshiu polici, zjarrfikës, ekipe të shpëtimit në ujë dhe një helikopter policor.
Alarmi u dha rreth orës 18:00, pasi në bregun e liqenit u gjetën sende personale që dyshohej se i përkisnin personit të zhdukur. Menjëherë pas kësaj, nisi një operacion masiv kërkimi, ku morën pjesë dymbëdhjetë zhytës shpëtimi dhe dy zhytës profesionistë nga shërbimi i zjarrfikësve të Klagenfurtit.
Në operacion u angazhuan disa mjete lundruese shpëtimi, ndërsa zona përreth liqenit u izolua përkohësisht. Pushuesit u larguan nga plazhi për t’i hapur rrugë operacionit emergjent.
Pas rreth 40 minutash kërkimi nën ujë, zhytësit arritën të lokalizojnë trupin e 23-vjeçarit në fund të liqenit. Operacioni përfundoi rreth orës 20:00.
I ndjeri ishte parë për herë të fundit të hënën rreth orës 17:00 në zonën e Drobollach. Shkaku i vdekjes mbetet ende i paqartë, ndërsa autoritetet kanë urdhëruar autopsi për të sqaruar rrethanat e plota të rastit.
Ngjarja ka shkaktuar pikëllim të madh te familjarët, miqtë dhe komuniteti shqiptar në Austri dhe vendlindjen e tij në Saraqinë të Tetovës. Gazeta Flaka
















