Tragjedi në Ohër: Pasagjeri gëlltit një pako me drogë gjatë ndërhyrjes së policisë dhe humb jetën
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në Ohër, ku një person ka humbur jetën pasi dyshohet se gëlltiti një pako me lëndë narkotike gjatë një ndërhyrjeje policore.
Sipas njoftimit të SPB Ohër, rreth orës 22:30 në bulevardin “Turistiçka”, policia tentoi të ndalonte një automjet tip “Range Rover” me targa çeke, i drejtuar nga I.M. (32) nga Ohri. Megjithatë, shoferi nuk iu bind urdhrit të policisë dhe u largua nga vendi i ngjarjes.
Pas ndërmarrjes së veprimeve shtesë, policia arriti ta ndalonte automjetin. Gjatë kontrollit, efektivët vunë re se pasagjeri, S.P. (44) nga Ohri, dyshohet se gëlltiti një pako me lëndë narkotike, pas së cilës gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua menjëherë.
Në vendngjarje u thirr ekipi i Ndihmës së Shpejtë, i cili e transportoi 44-vjeçarin në Spitalin e Përgjithshëm të Ohrit. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për t’i shpëtuar jetën, ai ndërroi jetë.
Me urdhër të prokurorit publik, është caktuar kryerja e autopsisë në Spitalin e Përgjithshëm në Manastir për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes.
Nga SPB Ohër bëjnë të ditur se, në koordinim me Prokurorinë Publike, po ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.
Flaka
















