Policia bastis dy lokale në Gostivar, arrestohen dy persona dhe ndalohen 15 shtetase të huaja
Në një aksion të koordinuar policor të zhvilluar në orët e para të mëngjesit, policia ka kryer kontrolle në dy objekte hotelierike në rajonin e Gostivarit, ku janë arrestuar dy persona, është sekuestruar marihuanë dhe janë shoqëruar 15 shtetase të huaja.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, aksioni është zhvilluar sot (30.07.2025), nga ora 02:00 deri në 04:00, nga nëpunësit policorë të SPB Tetovë – NJPB Gostivar.
Gjatë kontrollit në një objekt hotelierik në fshatin Çegran, rreth orës 02:00, është arrestuar M.H. (50) nga fshati Forinë. Sipas MPB-së, ai, sapo ka vërejtur policinë, ka mbyllur derën hyrëse të objektit dhe ka paralajmëruar personat brenda që të largohen. Megjithatë, falë reagimit të shpejtë të policisë, është parandaluar arratisja e disa shtetaseve të huaja nga dalja e pasme.
Ndërkohë, në një objekt tjetër hotelierik në territorin e Njësisë Policore Gallatë, policia arrestoi A.A. (53) nga Gostivari, pasi gjatë kontrollit tek ai u gjet marihuanë.
Gjatë kontrolleve në të dy objektet janë shoqëruar gjithsej 15 shtetase të huaja, të moshës nga 19 deri në 40 vjeç, nga Serbia, Shqipëria dhe Kolumbia. Prej tyre, 11 janë gjetur në objektin në Çegran, ndërsa katër në objektin në rajonin e Gallatës.
Sipas MPB-së, ato dyshohen për keqpërdorim të qëndrimit turistik, përkatësisht qëndrim në kundërshtim me qëllimin për të cilin kanë hyrë në vend.
Të gjithë personat janë ndaluar në stacion policor dhe, pas dokumentimit të plotë të rastit, autoritetet kanë paralajmëruar se do të parashtrohen kallëzimet dhe procedurat përkatëse.
Flaka
















