Ndërtimi në rrugën “Qemal Sejfulla”, BDI: Të jepen sqarime nga Komuna e Çairit dhe Prokuroria
Ndërtimi në rrugën “Qemal Sejfulla” në Shkup, i cili vitin e kaluar ishte denoncuar publikisht si ndërtim pa leje në tokë shtetërore, ka rifilluar. Kështu pretendojnë nga BDI, duke kërkuar reagim të menjëhershëm nga institucionet përgjegjëse.
Sipas reagimit, në maj të vitit 2025, ish-kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, kishte dalë në vendngjarje dhe kishte deklaruar se objekti po ndërtohej pa projekt dhe pa leje ndërtimi, vetëm rreth një metër larg objektit ekzistues dhe përpara dritareve e ballkoneve të banorëve.
Pas denoncimit, Prokuroria kishte hapur procedurë hetimore ndaj investitorit. Sipas njoftimit të atëhershëm, bëhej fjalë për një objekt banesor dhe afarist me gjashtë kate, i nisur pa leje në tokë shtetërore, ndërsa ishte kërkuar edhe ndalimi i punimeve.
Punimet më pas ishin ndërprerë. Tani, sipas BDI-së, rreth një vit më vonë, makineritë dhe punëtorët janë kthyer në kantier.
Partia thotë se banorët përreth po përballen sërish me ndërtimin, i cili, sipas tyre, ua kufizon dritën dhe hapësirën përpara dritareve e ballkoneve.
BDI kërkon nga Komuna e Çairit që të dërgojë menjëherë inspektorët në terren dhe të bëjë publike dokumentacionin mbi bazën e të cilit kanë rifilluar punimet.
Në veçanti, kërkohet të sqarohet nëse ekziston leje e vlefshme ndërtimi, çfarë masash ka ndërmarrë inspektorati komunal dhe nëse vazhdon të jetë në fuqi ndalimi i punimeve i kërkuar gjatë procedurës së mëparshme.
BDI kërkon gjithashtu nga Prokuroria të informojë publikun se deri ku ka arritur procedura hetimore dhe si është mundësuar rifillimi i punimeve në një objekt që më herët ishte trajtuar nga institucionet si ndërtim pa leje në tokë shtetërore.
“Çdo ditë heshtjeje i jep investitorit edhe një kat, ndërsa banorëve u merr edhe më shumë dritë, hapësirë dhe siguri”, thuhet në reagimin e BDI-së. Gazeta Flaka
















